Ilir Meta lajmërohet nga burgu, propozon zgjidhje të krizës

Ish-presidenti i Shqipërisë dhe kryetari i Partisë së Lirisë (PL), Ilir Meta, ka përcjellë një mesazh nga ambientet e paraburgimit, ku propozon një ndryshim rrënjësor të sistemit politik në vend.
Meta kërkon rikthimin te Kushtetuta e vitit 1998, zbatimin e modelit të Maqedonisë së Veriut për qeveri teknike para çdo zgjedhjeje, si dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës drejtpërdrejt nga populli, përcjell INA.
“Shqipëria e ka zgjidhjen shumë të thjeshtë për të gjithë ata që i kanë sytë në ballë dhe duan një Republikë të vërtetë Parlamentare ku sovraniteti i përket popullit. Rikthimi te Kushtetuta e votuar me Referendum nga populli, para ndryshive të vitit 2008. Sanksionimi në Kushtetutë i një Qeverie Teknike para çdo palë zgjedhjesh parlamentare, sipas modelit të Maqedonisë së Veriut. Zgjedhja e Presidentit të Republikës nga populli.”, shkroi Meta.
Kreu i PL-së, parti që më parë njihej si Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), ndodhet në masën e sigurisë “arrest në burg” pas hetimit të nisur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) nën dyshimet për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie – akuza të cilat ai i ka hedhur poshtë në mënyrë të vazhdueshme si të motivuara politikisht.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



