Lë Milanin pas dhe nënshkruan me Romën – zyrtarizohet lëvizja e verës
AS Roma ka njoftuar zyrtarisht këtë mëngjes nënshkrimin e portierit kolumbian Devis Vasquez. 27-vjeçari i është bashkuar klubit kryeqytetas pas ndërprerjes me marrëveshje të ndërsjellë të kontratës me AC Milan. Vasquez, i cili iu bashkua Milanit në janar të vitit 2023 nga klubi brazilian Guarani për një tarifë simbolike, nuk arriti të siguronte hapësira te […]

AS Roma ka njoftuar zyrtarisht këtë mëngjes nënshkrimin e portierit kolumbian Devis Vasquez. 27-vjeçari i është bashkuar klubit kryeqytetas pas ndërprerjes me marrëveshje të ndërsjellë të kontratës me AC Milan.
Vasquez, i cili iu bashkua Milanit në janar të vitit 2023 nga klubi brazilian Guarani për një tarifë simbolike, nuk arriti të siguronte hapësira te kuqezinjtë. Gjatë kësaj kohe, ai kaloi në tre huazime të ndryshme, ndërsa sezonin e fundit luajti si titullar për Empolin, duke regjistruar 32 paraqitje në Serie A, transmeton ORAinfo.
Për shkak të konkurrencës së fortë në portën e Milanit dhe avancimit të portierëve të rinj si Lorenzo Torriani, palët vendosën të ndajnë rrugët javën e kaluar. Menjëherë pas kësaj, Vasquez u lidh me AS Roma, ku tashmë është bërë zyrtarisht pjesë e skuadrës.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare, Roma konfirmoi se lojtari ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare, e vlefshme deri më 30 qershor 2027. Ai do të mbajë fanellën me numër 32.
Ky transferim gjithashtu rikthen Vasquezin nën drejtimin e Frederic Massara, drejtuesi sportiv që e solli në Itali gjatë kohës së tij te Milan.
“AS Roma është e kënaqur të njoftojë nënshkrimin e Devis Vasquez. Portieri 27-vjeçar ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me klubin,” thuhet në deklaratën e klubit. /ORAinfo/