Lidhja Shqiptare mbajti Kuvendin e Degës së Tetovës, Arlind Murtezani zgjidhet Kryetar i degës

Lidhja Shqiptare mbajti Kuvendin e Degës së Tetovës, Arlind Murtezani zgjidhet Kryetar i degës

Dega e Lidhjes Shqiptare në Tetovë mbajti Kuvendin Zgjedhor në të cilin, kuvendarët njëzëri zgjodhën për kryetar dege, Arlind Murtezanin, aktualisht këshilltar komunal në Komunën e Tetovës. Në këtë mbledhje u zgjodh edhe kryesia e re e degës.
Pas zgjedhjes, Arlind Murtezani u bëri thirrje për mobilizim maksimal strukturave dhe anëtarësisë së Lidhjes Shqiptare, duke u zotuar se do të angazhohet që Lidhja Shqiptare të rikthehet fuqishëm aty ku e ka vendin në skenën politike.

Ai theksoi se sot VLEN-i dhe BDI-ja duket sikur po bëjnë garë se cila do të jetë e keqja më e madhe për shqiptarët. “Në këto rrethana, Lidhja Shqiptare mbetet alternativa e vetme për shqiptarët që kërkojnë dinjitet, përfaqësim të vërtetë dhe një politikë në shërbim të qytetarëve”, tha Murtezani.

Punimet e Kuvendit të degës nga afër i ndoqi edhe Kryetari i Lidhjes Shqiptate, Ziadin Sela dhe Kryetari i Kuvendit të partisë, deputeti Elmi Aziri.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, kryetari Sela, uroi Murtezanin për përgjegjësinë e re duke theksuar rëndësinë e degës së Tetovës dhe ringritjen e Lidhjes Shqiptare në partinë më të fuqishme në këtë qytet dhe në mbarë vendin.

Kryetari Sela potencoi rezistencën e strukturave të partisë dhe mbrojtjen e pakompromis të Kauzës Kombëtare në një kohë kur skena politike shqiptare përballet me sfida të vështira dhe devalvohet nga parti e politikanë që për interesa personale kanë shkelur interesat e shqiptarëve në vend.

Në mbledhjen e Kuvendit të pranishëm ishin edhe anëtarët e Kryesisë së partisë Vjollcë Berisha, Adnan Neziri dhe Bekim Tateshi.
Kuvendi i degës së Tetovës hapi procesin e mbledhjes së kuvendeve të Lidhjes Shqiptare në të gjitha degët dhe strukturat e tjera lokale në mbarë vendin.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.