Liga arabe kundër Hamasit/ Thirrje grupit militant: Fund sundimit në Gaza!
Për herë të parë vendet e botës arabe u bashkuan unanimisht në thirrjen e tyre ndaj Hamasit për të dorëzuar armët, të lirojë pengjet dhe t’i japë fund sundimit të tij në Rripin e Gazës. Deklarata u miratua nga 22 vendet anëtare të Ligës Arabe, sipas të cilave plotësimi i këtyre kushteve nga Hamasi, do [...]Read More...

Për herë të parë vendet e botës arabe u bashkuan unanimisht në thirrjen e tyre ndaj Hamasit për të dorëzuar armët, të lirojë pengjet dhe t’i japë fund sundimit të tij në Rripin e Gazës.
Deklarata u miratua nga 22 vendet anëtare të Ligës Arabe, sipas të cilave plotësimi i këtyre kushteve nga Hamasi, do të ndihmojë në krijimin e një shteti palestinez.
Vendet e Ligës Arabe, Bashkimi Europian dhe 17 vende të tjera përfshirë Britaninë e Madhe dhe Kanadanë, dënuan gjithashtu sulmin e 7 tetorit të Hamasit ndaj Izraelit, pas të cilit filloi lufta gati dy vjeçare.
Hamasit i bëhet thirrje në atë që quhet “Deklarata e Nju Jorkut”, që armët t’ia dorëzojë Autoritetit Palestinez, që nga Perëndimi njihet si autoriteti legjitim në enklavë.
Hapi i parë i përcaktuar në deklaratë është t’i japë fund luftës midis Izraelit dhe Hamasit.
“Pas armëpushimit, duhet të krijohet menjëherë një komitet administrativ kalimtar për të vepruar në Gaza nën mbikëqyrjen e Autoritetit Palestinez”, thuhet në të.
Deklarata mbështet vendosjen e një misioni të përkohshëm ndërkombëtar stabilizimi, të mandatuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB, dhe mirëpret gatishmërinë e shprehur nga disa shtete anëtare për të kontribuar me trupa.
Shumë udhëheqës arabë kanë marrëdhënie pune me Hamasin dhe qeverisin në vende ku shumica e popullsisë mbështesin tej mase palestinezët, prandaj qëndrime të tilla ndaj grupit palestinez kanë munguar.
Deklarata gjithashtu dënoi sulmet izraelite në Gaza që vranë civilë e po ashtu dhunën e kolonëve ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe i bëri thirrje Izraelit të lejojë më shumë ndihma në Gaza.
/abcnews.al/