Limani: Duhet ta rikthejmë ASH-në si subjekt konkurrues dhe faktor serioz në Maqedoninë e Veriut, do ta shfrytëzojmë të gjithë potencialin njerëzor

Aleanca për Shqiptarët po përgatitet për Kongresin e radhës, i cili pritet të mbahet në tetor ose, eventualisht, në nëntor. Kryetari i Këshillit organizativ të Kongresit të ASH-së dhe kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, thotë se për momentin fokusi i strukturave të partisë është organizimi sa më i mirë i këtij procesi, ndërsa pas Kongresit, sipas tij, do të ketë hapësirë për kontakte me të gjithë aktorët politikë.
Limani, i cili është edhe anëtar i Kryesisë së Aleancës për Shqiptarët, thekson se Kongresi duhet të shërbejë si pikënisje për një proces të ri brenda partisë, me synim bashkimin e strukturave dhe individëve që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të ASH-së, si dhe rikthimin e saj në skenën politike si subjekt konkurrues.
“Ne si Aleancës për Shqiptarët jemi të koncentruar në organizimin e Kongresit që do të mbahet së shpejti dhe ky është qëllimi ynë tani dhe pas Kongresit gjithësesi mund të ketë kontakte me të gjithë aktorët politikë”, deklaroi Limani në intervistë për Ora24.tv.
“Si kryetar i Këshillit organizativ të Kongresit të ASH jam i angazhuar plotësisht për këtë Kongres, nga i cili besoj se të gjithë do të angazhohemi edhe për të rikthyer njerëz të cilët kanë qenë dikur ose të cilët janë diku tjetër dhe për ta rikthyer pozitën e ASH në skenën politike”, shtoi më tej Limani.
Kongresi i ASH është planifikuar për në tetor, eventualisht në nëntor.
“Pritet që gjatë kësaj periudhe ta caktojmë edhe datën finale të Kongresit, dhe besoj se së shpejti do të dihet data. Deri atëherë do të vazhdojmë të punojmë në drejtim të organizimit sa më të mirë të Kongresit. Sa i takon ASH-së, për të qenë realist deri në fund duhet ta pranojmë që ASH nuk po kalon në periudhën e saj më të mirë tani. Për këtë ekzistojnë shumë arsye dhe nuk besoj se të gjitha problemet që paraqiten në zhvillimin e një partia nuk duhet të fliten apo të fshihen. Mendoj se duhet të analizohen seriozsisht dhe për të gjithë këto probleme të gjendet zgjidhje. Kongresi do të jetë një moment shumë i rëndësishëm për definimin e qartë të orientimit politik të partisë dhe për caktimin e një rruge të qartë afatmesme dhe një strategjie afatgjate në zhvillimin dhe forcimin e ASH-së.
Siç dihet, në partinë tonë ndër vite ka pasur shumë ndarje dhe pikëtisht për këtë arsye duhet të ndërtohet një strategji pak më serioze për bashkimin dhe veprimin e përbashkët të shumicës së anëtarëve dhe strukturave të cilat kanë qenë pjesë e një rrugëtimi politik të ASH. Unë mendoj që ASH ka një potencial të madh, dhe unë në cilësinë e kryetarit të Këshilllit organizativ të kongresit dhe jo vetëm unë, por të gjithë jemi në kontakt me struktura dhe individ të ndryshëm dhe shoqata, me të vetmin qëllim që ta bëjmë më të mirën e mundshme për zhvillimin e partisë dhe rikthimin e saj si subjekt politik konkurrues si dhe një faktorë serioz në skenën politike në Maqedoninë e Veriut. Besoj që do ta shfrytëzojmë të gjithë potencialin njerëzor që kemi në dispozicion. ASH ndër vite ka krijuar kuadro dhe njerëz të cilët kanë qenë pjesë e ADN të partisë sonë, por që sot për arsye të ndryshme nuk janë pjesë aktive ose janë distancuar përkohësisht. Nuk guxojmë që të gjithë këta njerëz, resurse dhe potencial që ka qenë i krijuar gjatë viteve të shfrytëzohet nga parti të tjera.”
Sipas Limanit, Kongresi pritet të jetë një moment kyç për të përcaktuar orientimin e ardhshëm politik të Aleancës për Shqiptarët dhe për të ndërtuar një strategji të qëndrueshme për forcimin e partisë. Në këtë drejtim, ai vlerëson se potenciali njerëzor i krijuar ndër vite mbetet një prej burimeve kryesore të ASH-së.
Kongresi pritet të përcaktojë edhe prioritetet dhe drejtimin politik të partisë në periudhën e ardhshme, ndërsa data përfundimtare e mbajtjes së tij pritet të bëhet e ditur së shpejti.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



