Sami Lushtaku dhe Fitore Pacolli nënshkruajnë marrëveshjen për Objektin Ç në Skenderaj, investimi 4.4 milionë euro

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja për financimin e Objektit Ç, në vlerë prej 4.4 milionë euro, në kuadër të programeve të banimit social.
Sipas Lushtakut, objekti do t’u dedikohet me prioritet familjeve të dëshmorëve të Komunës së Skenderajt.
Ai tha se synimi është që të realizohet edhe Objekti K, duke kompletuar kompleksin UÇK.
Postimi i plotë:
Pas Objektit U, edhe Objekti Ç po bëhet realitet!
Sot nënshkruam Marrëveshjen për Financimin e Programeve të Banimit me zonjën Fitore Pacolli, ministre e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për bashkëfinancimin e Objektit Ç, me vlerë prej 4.4 milionë euro, e kredituar nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës.
Ky projekt që hyn në kuadër të Banimit Social Adekuat është i dedikuar me prioritet për familjet e dëshmorëve të Komunës së Skenderajt, si një obligim institucional dhe moral ndaj familjeve që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës.
Do të punojmë fort që edhe Objekti K të bëhet realitet, duke e kompletuar kështu tërësisht kompleksin UÇK dhe duke përmbushur një tjetër zotim ndaj familjeve që kanë dhënë shumë për lirinë e Kosovës!
SL
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



