‘Edhe Marjana Koçeku mundet ta çojë Shqipërinë në BE, Ramën nuk e duan më’! Protestat, reagon aktori Çun Lajçi

Aktori i njohur Çun Lajçi ka reaguar përmes një postimi publik nga Prishtina lidhur me valën e protestave të studentëve e pedagogëve në Tiranë dhe ftesën e Kryeministrit Edi Rama për dialog.
Lajçi e cilësoi si “teatër politik” takimin e organizuar nga kryeministri me karrige të kuqe boshe, duke kritikuuar shmangien e përballjes së drejtpërdrejtë me studentët dhe pedagogët. Sipas aktorit, pakënaqësia ndaj qeverisë shtrihet përtej të rinjve, te prindërit e tyre, artistët dhe shkrimtarët.
Në mesazhin e tij, Lajçi theksoi se qytetarët nuk kërkojnë më dialog pas 13 vitesh në pushtet, por dorëheqjen e kryeministrit, duke nëvizuar se Shqipëria ka kapacitete dhe figura të reja për të ecur përpara drejt integrimit europian.
Postimi i Çun Lajçit
E sheh? Nuk të urrejnë,mbase aq shumë, por ja që nuk të duan! E kupton? Duan me ikë prej teje e ti me ikë prej tyne! Sa e thjeshtë; – s’e duron barra barrën ma! As unë s’të “urrejë”, prandaj vazhdoj me shkrue, por ti s’më beson e unë s’kam si me të ndihmue, se ti flet me karrige! Ti kërkon dialog mbas 13 vjetësh, e ata kërkojnë dorëheqjen tande! Të vonuem të dy palët.
Duhej me i çelë sytë qysh atëherë, kur nisi hajnia e madhe e kur narkosët kërkuen pushtet! Sot kërkove dialog me karriget e kuqe, me vetveten. Ti kujtove se gjenerata e TikTok-ut s’din me i lidhë shtatë fjalë. Ti kujtove se as unë, që kam folë me karriget e teatrit për 50 vjet, nuk ta kuptova lojën me karrige?
Cili teatër ishte ky? Breht apo Stanislavski? Bëre teatër me punonjësit e parqeve! Bëre teatër me kioskën e djegun! Bëre teatër me gurin, tue pi kafe në zyrën e vetmueme.
Dhe ja, sot more guximin me u shpërfushë para shkallëve të Kryeministrisë e me u folë karrigeve të kuqe, por jo pedagogëve e studentëve që ti thyen karriget dhe lojën tande të teatrit abstrakt! Të munguen aktorët, kryeministër!
Ti s’ishe i zoti me i luejtë të gjitha rolet, me qenë regjisor e kameraman, e me duartrokitë edhe për vete! Studentët erdhën paqësisht. Pse s’e more guximin me i pritë ulun, kur je aq i sigurt në votat që more e në ato që pretendon me i marrë vitin që vjen?!
I miri, i urti, i ndershmi, atdhedashësi, besniku ndaj Shqipnisë nuk ka frikë prej përballjes me popullin. Pse s’i prite pedagogët? Mos vallë edhe ata qenkan agjentë, si këta adoleshentët me maska që djegin plehrat e Tiranës? Ndoshta nuk të urrejmë aq sa mendon ti, kryeministër, por ja që nuk të duam ma!
Sepse ti kurrë nuk e ndave shapin prej sheqerit, as Belindën prej vetes, as Agasin prej Vlorës, as narkodilerët prej pushtetit. Për këtë nuk të do rinia, zotni kryeministër! Për këtë nuk të duan as prindët e tyne.
Për këtë nuk të duam as ne, artistët, poetët e shkrimtarët, që, edhe kur heshtim nganjëherë, nuk do të thotë se të duam. Edhe në heshtje, nuk të duam! Ia nise mirë me Evropën, por e prishe me përzimjen e gjakut me Vuçiqin e me bosat e drogës. E tash studentët, gjimnazistët e qytetarët që mezi i sigurojnë dy vakte në ditë, ta kërkojnë ikjen.
Ti mos u mërzit për Shqipninë! Ka kush e çon përpara. Edhe Marjana Koçeku mundet me e çue në Bashkimin Evropian. Edhe Marin Mema, edhe Elisa Spiropali … Egla Ceno, mundet, pse jo, artiste asht!
Nuk vdes Shqipnia pa ty o Kryeministër, se ka djem e vasha që e duan atdheun ma shumë se veten e që nuk i përziejnë rrajtë me bimët e këqia! M’vjen keq KM, por nuk të duan ma!
Prishtinë 2026.
The post ‘Edhe Marjana Koçeku mundet ta çojë Shqipërinë në BE, Ramën nuk e duan më’! Protestat, reagon aktori Çun Lajçi appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



