Rama mbështet kandidaturën e Lana Nusseibeh për drejtimin e OKB-së: Një grua kalibri

Rama mbështet kandidaturën e Lana Nusseibeh për drejtimin e OKB-së: Një grua kalibri

Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për diplomaten Lana Nusseibeh, të nominuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe për postin e Sekretares së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Përmes një postimi në platformën X, kreu i qeverisë e cilësoi kandidaturën e saj si një mundësi për një fillim të ri për OKB-në, në një kohë kur organizata përballet me sfida të shumta dhe vihet në pikëpyetje besueshmëria e saj në arenën ndërkombëtare.

Rama bëri të ditur se e njeh personalisht diplomaten dhe se ka vlerësuar aftësitë e saj gjatë periudhës kur Shqipëria ishte anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sipas kryeministrit, Nusseibeh spikat për njohuritë mbi politikën ndërkombëtare, inteligjencën dhe aftësinë për të afruar qëndrime të ndryshme mes kulturave dhe perspektivave të ndryshme.

“Emërimi i Lana Nusseibeh nga Emiratet e Bashkuara Arabe për postin e Sekretares së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ofron një fillim të ri që komuniteti i OKB-së nuk mund të përballojë ta humbasë, dhe Shqipëria është e nderuar të mbështesë plotësisht kandidaturën e saj”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë vlerësoi gjithashtu përvojën dhe angazhimin e diplomates, duke e konsideruar profilin e saj të përshtatshëm për sfidat me të cilat përballet organizata ndërkombëtare.

Në mesazhin e tij, Rama u ndal edhe te mundësia që OKB-ja të drejtohet nga një grua, duke e konsideruar këtë një perspektivë shpresëdhënëse për të ardhmen e institucionit.

“Pas kaq shumë burrave në krye, nuk mund të mendoj për një shpresë më të mirë për Kombet e Bashkuara sesa një grua e këtij kalibri”, përfundoi kryeministri.

The post Rama mbështet kandidaturën e Lana Nusseibeh për drejtimin e OKB-së: Një grua kalibri appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.