Meloni-BE: Cenuat sovranitetin tonë!/ “Vendimi, kërcënim ndaj shteteve për të menaxhuar emigracionin”

Qeveria Italiane ka reaguar ashpër mbi vendimin dhënë nga Gjykata Europiane e Drejtësisë ku thuhet se do të jenë Gjykatat Italiane ata që do të japin fjalën e fundit për përcaktimin  e vendeve të sigurta dhe jo, sa I përket transferimit të emigrantëve në qendrat e Gjadrit dhe Shëngjinit ndërkohë që çështja e tyre e [...]Read More...

Meloni-BE: Cenuat sovranitetin tonë!/ “Vendimi, kërcënim ndaj shteteve për të menaxhuar emigracionin”

Qeveria Italiane ka reaguar ashpër mbi vendimin dhënë nga Gjykata Europiane e Drejtësisë ku thuhet se do të jenë Gjykatat Italiane ata që do të japin fjalën e fundit për përcaktimin  e vendeve të sigurta dhe jo, sa I përket transferimit të emigrantëve në qendrat e Gjadrit dhe Shëngjinit ndërkohë që çështja e tyre e azilit shqyrtohet nga Autoritetet italiane.

Roma Zyrtare thotë se ky vendim është një ndërhyrje e pajustifikuar në sferat politike të shtetit. Në deklaratën e  publikuar nga Palazzo Chiggi dhe shpërndarë edhe nga Kryeministrja Italiane Giorga Meloni thuhet se  “Drejtësia evropiane po e tejkalon kompetencën e saj duke u përfshirë në vendimmarrje që janë thelbësisht politike,”.

Qeveria italiane ngre shqetësimin se me këtë vendim, një gjyqtar i vetëm në nivel kombëtar mund të vendosë për politika të tëra të emigracionit, siç është përcaktimi i vendeve të sigurta çka, sipas saj, përbën rrezik për menaxhimin efektiv të flukseve migratore.

Italia akuzon Gjykatën e BE-së se po shpërfill realitetin e presionit migrator me të cilin përballen vendet kufitare dhe se vendimi i saj mund të minojë përpjekjet për kontrollin e emigracionit të parregullt dhe mbrojtjen e kufijve kombëtarë. Në deklaratë kritikohet edhe fakti që vlerësimet për sigurinë e vendeve mbështeten në burime private, në vend të analizave shtetërore të miratuara nga parlamenti.

Ky vendim i Luksemburgut erdhi si pasojë e një rasti të ngritur nga Gjykata e Romës, që kishte të bënte me dy shtetas nga Bangladeshi të cilët u përfshinë në një procedurë të përshpejtuar azili dhe u refuzuan për shkak se vendi i tyre ishte klasifikuar si i sigurt – klasifikim që, sipas Gjykatës së BE-së, nuk mund të justifikohet pa të dhëna të plota dhe të verifikueshme.

Përkundër këtij zhvillimi, qeveria italiane nuk jep shenja se do të ndryshojë kurs. Në deklaratën zyrtare thuhet se për muajt që mbeten deri në hyrjen në fuqi të Paktit të ri Evropian për Migracionin dhe Azilin, ekzekutivi do të vijojë të ndjekë çdo mundësi ligjore dhe teknike për të mbrojtur sigurinë kombëtare.

Autoritetet italiane, gjithashtu, shprehen të habitura që një vendim i tillë vjen pikërisht në kohën kur Evropa po përgatitet për një rregullore të re që, sipas tyre, do të imponojë kritere më të rrepta për vlerësimin e vendeve të sigurta./abcnews.al