Mentor Ilazi rizgjidhet president i AES-së për një mandat të ri, pas një ngritjeje të fuqishme organizative

Albanian Engineering of Switzerland (AES) hyn në një kapitull të ri të zhvillimit.
Pas tre vitesh rritjeje, zgjerimi të rrjetit dhe konsolidimi të strukturave, organizata synon që potencialin e krijuar mes profesionistëve shqiptarë në Zvicër ta shndërrojë në projekte, bashkëpunime dhe vlerë konkrete.
Albanian Engineering of Switzerland (AES) mbajti të shtunën Kuvendin e saj Zgjedhor në Langenthal të Bernës, duke përmbyllur një mandat trevjeçar të karakterizuar nga një ngritje e dukshme organizative.
Në krye të organizatës është rizgjedhur Mentor Ilazi, i cili do ta udhëheqë AES-në edhe në mandatin 2026–2029.
Në strukturën e re drejtuese, Kaltrina Paloja, PhD në Bioengineering & Biotechnology, është zgjedhur nënkryetare për Zvicrën frankofone, ndërsa Kushtrim Ajvazi, inxhinier i elektroteknikës, mbetet edhe për një mandat nënkryetar për Zvicrën gjermanofone.
Pjesë e Bordit Ekzekutues janë gjithashtu Megi Xhafaj, inxhiniere civile dhe përgjegjëse për komunikimin dhe menaxhimin e komunitetit, si dhe Roland Rexhepaj, specialist i financave dhe CFO i organizatës.
Kryesia plotësohet me Samela Bajraktarin, specialiste e sigurisë së informacionit, Edmond Sulën, inxhinier mekanik, Endri Ramën, PhD në robotikë, dhe Milaim Raçipin, arkitekt i diplomuar në ETH. Përbërja e re pasqyron atë që AES ka ndërtuar gjatë viteve të fundit: një organizatë ku përvoja dhe ekspertiza profesionale ndërthuren me energjinë dhe kreativitetin e gjeneratës së re.
Tre vite që ndryshuan AES-në
Nga një iniciativë për lidhjen e profesionistëve shqiptarë në Zvicër, AES është zhvilluar në një rrjet që sot numëron mbi 170 anëtarë, të shpërndarë në pjesë të ndryshme të vendit. Mes tyre ka doktorantë, inxhinierë, arkitektë dhe specialistë të shkencës dhe teknologjisë.
Por zhvillimi i këtyre tre viteve nuk matet vetëm me numrin e anëtarëve. AES ka kaluar gradualisht nga ndërtimi dhe zgjerimi i një rrjeti drejt një strukture më të konsoliduar, me mision, përgjegjësi, departamente dhe objektiva më të qarta.
Organizata bashkon profesionistë nga teknologjia informative, inxhinieria civile, arkitektura, elektroteknika, mekanika, elektronika, energjia, bioteknologjia, fizika, robotika dhe fusha të tjera. Në qendër të këtij zhvillimi qëndron një ide e qartë: profesionistët shqiptarë në Zvicër të mos jenë vetëm individë të suksesshëm, por pjesë e një komuniteti që bashkëpunon, shkëmben dije dhe krijon vlerë.
Puna e AES-së është përqendruar në katër drejtime kryesore: rrjetëzim, bashkëpunim, shkëmbim të njohurive dhe mentorim. Përmes tyre synohet lidhja e profesionistëve, bashkëpunimi me kompani, universitete dhe institucione, transferimi i ekspertizës dhe mbështetja e studentëve dhe profesionistëve të rinj.
Filozofia e organizatës përmblidhet në tri parime: Krijojmë marrëdhënie. Ndajmë njohuri. Ofrojmë zgjidhje.
Nga ETH dhe EPFL deri në Prishtinë e Davos
Gjatë mandatit të kaluar AES ka realizuar një varg aktivitetesh, mes tyre Engineers’ Day në ETH dhe EPFL, House of Kosova në Davos, aktivitete profesionale në Lausanne, Kongresin ICME në Prishtinë dhe Konferencën Innovation & Leadership në Bernë.
Janë zhvilluar gjithashtu webinare profesionale, vizita në kompani si Stadler, Orllati dhe Wirz, aktivitete në fushën e sigurisë kibernetike dhe iniciativa të tjera për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave.
Në fushën e mentorimit është zhvilluar Academic Excellence Award, ndërsa AES ka formalizuar bashkëpunime me institucione dhe partnerë.
Një pjesë e rëndësishme e këtij zhvillimi është realizuar falë punës vullnetare. Sipas raportit të prezantuar në Kuvend, anëtarët kanë kontribuar rreth një mijë orë punë vullnetare gjatë mandatit të kaluar. Paralelisht është forcuar edhe baza financiare, duke i krijuar organizatës më shumë stabilitet dhe mundësi për projekte të reja.
Nga rritja te profesionalizimi
Mandati 2026–2029 pritet të hapë një fazë të re. Nëse vitet e fundit u karakterizuan nga rritja dhe ndërtimi i strukturës, fokusi tani zhvendoset te profesionalizimi, institucionalizimi dhe shndërrimi i ekspertizës në projekte konkrete.
Në Kuvend u trajtuan statuti dhe rregullorja, përgjegjësitë e strukturave drejtuese, menaxhimi financiar, komunikimi, projektet, teknologjia informative, partneritetet, mbrojtja e të dhënave dhe mekanizmat e kontrollit të organizatës.
Një rëndësi e veçantë do t’u kushtohet departamenteve profesionale në elektroteknikë dhe elektronikë, energji, mekanikë dhe industri, edukim dual, shkenca natyrore, IT, financa dhe marketing, arkitekturë dhe ndërtimtari, si dhe në fushën juridike dhe të dokumentimit.
Synimi është që ekspertiza e mbledhur brenda AES-së të mos mbetet vetëm pjesë e një rrjeti profesional, por të vihet në funksion të projekteve dhe zgjidhjeve konkrete.
Ilazi: Potenciali duhet të shndërrohet në vlerë
Presidenti i rizgjedhur Mentor Ilazi theksoi se suksesi i AES-së nuk duhet të matet vetëm me numrin e anëtarëve.
Sipas tij, sfida e mandatit të ardhshëm është që kapitali profesional dhe njerëzor i krijuar brenda organizatës të shndërrohet në vlerë konkrete për anëtarët dhe komunitetin.
Një rëndësi të veçantë ai i kushtoi lidhjes ndërmjet gjeneratave. Profesionistët me përvojë kanë njohuri që duhet t’i transmetojnë, ndërsa gjeneratës së re duhet t’i krijohet hapësira për të marrë më shumë rol dhe përgjegjësi.
Pikërisht ndërthurja e përvojës, dijes, energjisë dhe kreativitetit të gjeneratave të ndryshme shihet si një nga asetet më të rëndësishme të AES-së.
Në këtë zhvillim është vlerësuar edhe angazhimi i Kushtrim Ajvazit, i cili me përkushtimin e tij ka kontribuar në zgjerimin e rrjetit dhe afrimin e profesionistëve dhe specialistëve shqiptarë nga fusha të ndryshme.
Ambasadori Latifi: AES, një aset i rëndësishëm profesional
Kuvendin Zgjedhor e përshëndeti me praninë e tij edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, i cili vlerësoi arritjet e komunitetit shqiptar dhe në veçanti ngritjen e AES-së.
Ai e cilësoi potencialin profesional të mbledhur rreth organizatës si një aset të rëndësishëm të dijes dhe përvojës, i cili mund të vihet edhe në funksion të zhvillimit të Kosovës.
Në këtë kontekst u theksua rëndësia e lidhjes së ekspertizës së diasporës me projekte të mëdha zhvillimore dhe inxhinierike në Kosovë, duke përmendur në veçanti edhe lidhjen hekurudhore Prishtinë–Durrës.
Sipas këtij vizioni, njohuritë dhe përvoja e profesionistëve shqiptarë në Zvicër mund të lidhen gjithnjë e më shumë me projekte konkrete në Kosovë dhe Shqipëri, duke e shndërruar potencialin e diasporës në kontribut profesional dhe zhvillimor.
Gjenerata e re të marrë përgjegjësinë
Një nga mesazhet kryesore të Kuvendit ishte përfshirja më e madhe e profesionistëve të rinj.
Nënkryetarët Kaltrina Paloja dhe Kushtrim Ajvazi marrin role të rëndësishme në strukturën e re. Mesazhi drejtuar gjeneratës së re ishte që ajo të mos mbetet vetëm pjesë e rrjetit, por të marrë angazhime dhe përgjegjësi konkrete brenda organizatës.
AES tashmë ka një rrjet të gjerë profesionistësh, përvojë të krijuar ndër vite dhe një gjeneratë të re që sjell dije, energji dhe ide të reja.
Sfida tani është që këto potenciale të lidhen dhe të shndërrohen në rezultate. Pas fazës së rritjes dhe konsolidimit, pritjet janë që AES të bëhet një urë edhe më e fuqishme mes profesionistëve shqiptarë, universiteteve, institucioneve dhe ekonomisë në Zvicër, por edhe mes diasporës, Kosovës dhe Shqipërisë, vlerësuan drejtuesit e rinj.
Pas ndërtimit të rrjetit dhe strukturës, sfida e mandatit të ri është që dija dhe përvoja e grumbulluar të shndërrohen në vlerë dhe ndikim konkret u tha mes tjerash ne kuvendin zgjedhor te AES-it.
BEKIM DALIPI
The post Mentor Ilazi rizgjidhet president i AES-së për një mandat të ri, pas një ngritjeje të fuqishme organizative appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



