Mërgimtarë, kujdes: Sllovenia vendos radarë të rinj në autostrada, gjobat deri në 1200 euro

Sllovenia ka vendosur një sistem të ri kamerash në disa segmente të autostradave, të cilat nuk matin shpejtësinë e automjeteve vetëm në një pikë të caktuar, por llogarisin shpejtësinë mesatare gjatë gjithë distancës së monitoruar.
Sistemi i ri synon ta bëjë më të sigurt qarkullimin rrugor dhe ta pamundësojë praktikën e disa shoferëve që ngadalësojnë vetëm para kamerave, për të përshpejtuar përsëri pasi i kalojnë ato, shkruan media kroate “Index”.
Ndryshe nga radarët tradicionalë, kamerat e reja regjistrojnë kohën kur një automjet hyn në segmentin e monitoruar dhe kohën kur del prej tij.
Duke u bazuar në distancën e përshkuar dhe kohën e nevojshme për ta kaluar atë, sistemi llogarit shpejtësinë mesatare të automjetit.
Për shembull, nëse një automjet përshkon një segment prej 10 kilometrash për katër minuta, shpejtësia mesatare e tij është 150 kilometra në orë.
Nëse kufizimi i shpejtësisë në atë segment është 130 kilometra në orë, shoferi ka kryer shkelje, pavarësisht shpejtësisë me të cilën ka kaluar pranë kamerave.
Sipas të dhënave të Zyrës Sllovene të Metrologjisë, sistemi i kontrollit të shpejtësisë në segmente është vendosur në katër lokacione:
A1, Logatec–Vrhnika, në drejtim të Lubjanës;
A2, Ljubljana Brod–Vodice, në drejtim të Kranjit;
A2, Grosuplje–Ivancna Gorica, në drejtim të Novo Mestos;
A1, Podmilj–Loçica, në drejtim të Mariborit, në zonën e tunelit Trojane.
Gjobat për tejkalim të shpejtësisë në autostradat e Sllovenisë variojnë nga 40 deri në 1.200 euro, varësisht nga shkalla e shkeljes.
– Për tejkalim të shpejtësisë deri në 10 km/h, gjoba është 40 euro;
– Për tejkalim nga 10 deri në 30 km/h, gjoba është 80 euro;
– Për tejkalim nga 30 deri në 40 km/h, gjoba është 160 euro;
– Për tejkalim nga 40 deri në 50 km/h, gjoba është 250 euro.
Për tejkalime edhe më të mëdha parashihen gjoba më të rënda. Shoferët që lëvizin me shpejtësi mbi 60 km/h më të lartë se kufizimi i lejuar mund të gjobiten me 1.200 euro.
Për shkeljet më të rënda, përveç gjobave në para, parashihen edhe pikë ndëshkuese.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



