Meta ndëshkon llogaritë që ripostojnë përmbajtje të huaj/ Humbin monetizimin dhe shikueshmërinë në Facebook

Kompania Meta, pronarja e rrjetit social Facebook, ka njoftuar masa të reja për të kufizuar përhapjen e përmbajtjes së kopjuar në platformë. Sipas njoftimit zyrtar të bërë të hënën, krijuesit që ripërdorin në mënyrë të përsëritur video, foto apo postime të tjera pa qenë autorë të tyre, rrezikojnë të humbasin përkohësisht qasjen në programet e [...]Read More...

Meta ndëshkon llogaritë që ripostojnë përmbajtje të huaj/ Humbin monetizimin dhe shikueshmërinë në Facebook

Kompania Meta, pronarja e rrjetit social Facebook, ka njoftuar masa të reja për të kufizuar përhapjen e përmbajtjes së kopjuar në platformë. Sipas njoftimit zyrtar të bërë të hënën, krijuesit që ripërdorin në mënyrë të përsëritur video, foto apo postime të tjera pa qenë autorë të tyre, rrezikojnë të humbasin përkohësisht qasjen në programet e monetizimit dhe do të kenë një shpërndarje më të ulët të përmbajtjes së tyre në Facebook.

Meta thekson se problematika me përmbajtjet e ricikluara është bërë gjithnjë e më shqetësuese, duke krijuar një përvojë jo të këndshme për përdoruesit dhe duke penguar shfaqjen e zërave të rinj. “Shumë shpesh e njëjta meme ose video shfaqet vazhdimisht, herë nga llogari që hiqen si krijues origjinalë dhe herë nga profile të shumta spam,” thuhet në deklaratë.

Për të frenuar këtë dukuri, kur algoritmet e Facebook zbulojnë përmbajtje të kopjuar, shpërndarja e saj do të reduktohet në mënyrë që të mos dëmtojë përmbajtjen origjinale. Meta është gjithashtu në fazë testimi të një funksioni që do të mundësojë lidhje direkte drejt burimit origjinal, duke i dhënë krijuesit fillestar meritat që i takojnë.

Këto masa do të hyjnë në fuqi gradualisht në muajt në vijim. Deri tani, nuk është sqaruar nëse Meta do të zbatojë politika të ngjashme edhe për platformat e saj të tjera, si Instagram dhe Threads.

Ky hap i ri është pjesë e një strategjie më të gjerë të Meta-s për të luftuar përmbajtjet spam dhe për të vënë më shumë në pah krijimtarinë origjinale. Vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, kompania ka pezulluar mbi 500 mijë llogari për përfshirje në sjellje mashtruese ose manipulim të angazhimit.

Edhe platforma YouTube ka ndërmarrë masa të ngjashme, duke paralajmëruar një përditësim të politikave të saj për videot e kopjuara apo të prodhuara në mënyrë masive, sidomos ato që gjenerohen me ndihmën e mjeteve të inteligjencës artificiale.

Megjithatë, Meta thekson se ndryshimet nuk synojnë të penalizojnë krijuesit që shtojnë vlerë përmes komentimit, reagimeve apo interpretimit të përmbajtjeve virale. Për të shmangur penalizimin, kompania rekomandon shtimin e përpunimeve kreative, zërit rrëfyes, ose opinioneve personale, si dhe shmangien e përmbajtjes së mbrojtur nga të tretët ose të ricikluar dukshëm nga burime të tjera./abcnews.al