Mickoski paraqiti ndryshime në Ligjin për energjetikë që duhet të parandalojnë rritjen e çmimit të rrymës

Një grup deputetësh të koalicionit “Maqedonia juaj”, të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, kanë dorëzuar sot në Kuvend projektligjin për ndryshimin e Ligjit për energjetikë, në procedurë të shkurtuar. Deputeti i VMRO-DPMNE-së dhe mandatari për përbërjen e qeverisë së re, Hristijan Mickoski, i cili, siç tha, ishte i pari që e nënshkroi projektligjin, në një konferencë për […]

Mickoski paraqiti ndryshime në Ligjin për energjetikë që duhet të parandalojnë rritjen e çmimit të rrymës

Një grup deputetësh të koalicionit “Maqedonia juaj”, të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, kanë dorëzuar sot në Kuvend projektligjin për ndryshimin e Ligjit për energjetikë, në procedurë të shkurtuar. Deputeti i VMRO-DPMNE-së dhe mandatari për përbërjen e qeverisë së re, Hristijan Mickoski, i cili, siç tha, ishte i pari që e nënshkroi projektligjin, në një konferencë për media informoi për ndryshimet e propozuara. Synimi i tij është, siç theksoi, parandalimi i rritjes së çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë, temë kjo që ka qenë aktuale në opinion ditët e fundit dhe mbrojtja e standardit të qytetarëve, transmeton Portalb.mk.

“Në ditët e kaluara u hap tema e çmimit të energjisë elektrike, i cili praktikisht do të rregullohet nga Komisioni Rregullator për Energjetikë i Maqedonisë në javët në vijim dhe që do të jetë i aplikueshëm nga data e parë e korrikut përfshirë 31 dhjetor 2024. Në opinion u përhap informacioni se do të pësojë korrigjime të konsiderueshme në një trend negativ për qytetarët, gjegjësisht do të rritet”, tha Mickoski në fillim të konferencës për media në Kuvend.

Si qeveri e ardhshme, ai tha se nuk duan të ndërhyjnë në punën e organeve të pavarura rregullatore, por gjithashtu, shtoi ai, kanë përgjegjësi të kujdesen për standardin e qytetarëve, që sipas tij do të jetë prioritet për bartësit e ardhshëm të pushteti ekzekutiv.

“Dhe të mos lejojmë që i njëjti standard të cenohet apo rrezikohet për shkak të interesave të vogla të individëve. Në këtë kuptim, një grup deputetësh nga Koalicioni “Maqedonia juaj” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, sot e kam nënshkruar së pari, në Arkivin e Kuvendit të Maqedonisë e kanë dorëzuar projektligjin për plotësimin e Ligjit për energjetikë me procedurë të shkurtuar. Cili është ky ligj i propozuar për të plotësuar Ligjin për Energjetikë? Në fakt është një ligj i propozuar me të cilin nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për amvisëri, pra do të mbrohet standardi i qytetarëve. Dhe me këtë ligj të propozuar, ajo që është përhapur në opinion këto ditët e fundit si informacion nuk do të lejohet të rrisë në mënyrë dramatike çmimin e energjisë elektrike”, tha mandatari për përbërjen e qeverisë së re.

Me këtë projektligj për plotësimin e Ligjit për energjetikë pas procedurës së shkurtuar, Mickoski tha se amvisëritë që janë në grupin e parë dhe të dytë nuk do të kenë rritje të faturave të energjisë elektrike dhe presin që të ketë efekt pozitiv edhe për ata që hyjnë në Grupin e tretë dhe të katërt, pra rritja e çmimit të energjisë elektrike për ta nuk duhet të jetë e ndjeshme dhe të lëvizë nga 1 deri në 2 përqind.

“Kjo është ajo që ne si qeveri e ardhshme mund të bëjmë. Me fjalë të tjera, nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për familjet që marrin energji elektrike nga furnizuesi universal”, shtoi Mickoski.

Në konferencën për media, ai u përpoq të japë një shpjegim në mënyrë të thjeshtë për mënyrën e formimit të çmimit të energjisë elektrike.

Në atë drejtim, ai tha se në formimin e çmimit të energjisë elektrike në tërësi marrin pjesë katër palë, përkatësisht çmimet që i ngarkon për shërbimet e tyre operatori transmetues MEPSO, distributori EVN, operatori i tregut MEMO dhe çmimi i vetë energjisë elektrike.

“Ju keni dëgjuar në publik se vetë çmimi i energjisë elektrike që EMV ish-ELLEM do ta furnizojë për kompaninë që është furnizues universal, zyrtarisht ende nuk e kemi parë atë çmim, por kemi dëgjuar që qeveria ka marrë një vendim në njërën nga seancat që çmimi u rrit. Nga fakti që në publik e kemi dëgjuar çmimin prej 57, kanë marrë vendim që të rritet në 60 euro për megavat orë, do të shohim nëse është kështu”, tha Mickoski, para se të vazhdojë me shpjegimin e formimit të çmimit të energjisë elektrike.

Ai sqaroi se të katër pjesëmarrësit janë shumëzuar me koeficientin 1.115, dhe pse pikërisht me këtë koeficient, tha se është kështu, sepse ka qenë marzhi i vjetër që furnizuesi universal ka ngarkuar nga amvisëritë, ose në përqindje është 11.5 përqind.

Sipas Mickoskit, ajo që propozojnë me ndryshimin e Ligjit për Energjetikë, parasheh që në vend të marzhit prej 11,5 përqind, të ngarkohet marzhi prej 9,9 përqind. Mundësia për këtë vjen nga fakti se është i njëjti furnizues universal, i cili do të vazhdojë të jetë furnizues universal edhe në të ardhmen dhe nuk ka nevojë të themelohet një person i ri juridik. Prandaj, sipas amendamentit të propozuar nga Komisioni Rregullator i Energjetikës, do të duhet vetëm vazhdimi i licencës së furnizuesit universal.

Mickoski i dërgoi mesazh edhe furnizuesit universal që me shumë kujdes t’i optimizojë nevojat e veta, gjegjësisht kur blejnë energji elektrike të udhëhiqen së pari nga interesat e qytetarëve dhe të mos blejnë sasi të energjisë elektrike që nuk do të nevojiten, por “të rrinë ndaj qasjes që do të jetë sa më e ndershme, e përgjegjshme dhe mbi të gjitha frymëzuese për qytetarët, pra për të optimizuar blerjen e tyre të energjisë elektrike”.

Mickoski siguron se nëse miratohet ky propozim për ndryshimin e Ligjit për energjetikë, me të cilin marzhi do të ulet nga 11,5 në 9,9 përqind dhe nëse furnizuesi universal e optimizon sasinë e energjisë elektrike, atëherë nuk do të ketë rritje të faturave të energjisë elektrike.

“Ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që në këto gjashtë muaj të riorganizohet sektori energjetik në Maqedoni, dhe tashmë në periudhën e ardhshme rregullative nga 1 janari 2025 deri më 30 qershor 2025, qytetarët do të kenë fatura më të lira të energjisë elektrike, industria të marrë atë që është në tregun e rregulluar, faturat më të lira të energjisë elektrike. Në këtë mënyrë do të shtypet inflacioni, pra çmimet do të ulen në vend që të rriten. Qytetarët bënë atë që duhej ta bënin, tani qeveria e ardhshme e udhëhequr nga VMRO-DPMNE duhet të bëjë për qytetarët”, tha Mickoski në konferencën për media.

LEXO: Bislimoski: Javën e ardhshme do të kemi informata më konkrete për çmimin e rrymës pas 1 korrikut