Mihali i përgjigjet PDK-së e LDK-së: O marrëveshje për institucionet, o jo vetëm për postet

Mihali i përgjigjet PDK-së e LDK-së: O marrëveshje për institucionet, o jo vetëm për postet

Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka reaguar pas mosvotimit nga deputetët e LVV-së të kandidatëve të PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit.

Mihali ka ngritur pyetjen se pse deputetët e shumicës duhet të votojnë kandidatët e këtyre dy partive për pozitat në Kryesinë e Kuvendit, kur PDK-ja dhe LDK-ja, sipas saj, nuk po tregojnë gatishmëri për të kontribuar në zgjidhjen e ngërçit institucional dhe zgjedhjen e presidentit.

“Pse duhet që 62 deputetë ta votojnë kandidaten e PDK-së për nënkryetare të Kuvendit, kur PDK-ja deklaron se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjen e Presidentit në asnjë formë, as në bisedime, as në takime, as me prani në sallë?”, ka shkruar Mihali.

Ajo ka theksuar se e njëjta logjikë, sipas saj, vlen edhe për LDK-në.“E njëjta pyetje vlen edhe për LDK-në, pse duhet që 62 deputetë ta votojnë kandidatin e saj për nënkryetar, kur ai është pozicionuar haptazi kundër çdo marrëveshjeje me Lëvizjen VETËVENDOSJE! për zgjidhjen e ngërçit dhe zgjedhjen e Presidentit?”, ka deklaruar ajo.

Sipas Mihalit, nënkryetarët e Kuvendit nuk mund të kërkohen si privilegj nga votat e shumicës, ndërsa përgjegjësia për funksionimin e institucioneve refuzohet.

“Nuk mund të kërkosh votat e shumicës për t’u ulur në Kryesinë e Kuvendit dhe, sapo ta marrësh pozitën, ta përdorësh mungesën nga salla për ta pamundësuar zgjedhjen e Presidentit dhe për ta çuar vendin përsëri në zgjedhje”, ka shkruar ajo.

Mihali ka kërkuar që marrëveshjet për postet në Kuvend të shoqërohen edhe me marrëveshje për funksionimin e institucioneve.

“Nëse kërkojnë marrëveshje e votë për nënkryetarët e Kuvendit, duhet të pranojnë marrëveshje për funksionimin e institucioneve në tërësi”, ka thënë ajo.

“Sepse nuk mund të ketë marrëveshje vetëm për postet e tyre dhe bllokadë për institucionet e Republikës, siç është Presidenti dhe zgjedhje të përsëritura për qytetarët”, ka përfunduar Mihali.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.