Milani përgatit lëvizjen e madhe, Roma vendos kushtin e fundit

Ditët e fundit të merkatos kanë sjellë kaos në Milano. Marrëveshja e mundshme mes Milanit dhe Romës për një shkëmbim mes Artem Dovbyk dhe Santiago Giménez tashmë duket jashtë loje, por kuqezinjtë nuk e kanë hequr dorë nga sulmuesi ukrainas. Giménez refuzon largimin Burime pranë merkatos italiane raportojnë se Santiago Giménez i ka bërë të […]

Milani përgatit lëvizjen e madhe, Roma vendos kushtin e fundit

Ditët e fundit të merkatos kanë sjellë kaos në Milano. Marrëveshja e mundshme mes Milanit dhe Romës për një shkëmbim mes Artem Dovbyk dhe Santiago Giménez tashmë duket jashtë loje, por kuqezinjtë nuk e kanë hequr dorë nga sulmuesi ukrainas.

Giménez refuzon largimin

Burime pranë merkatos italiane raportojnë se Santiago Giménez i ka bërë të qartë klubit dhe trajnerit Massimiliano Allegri se dëshiron të mbetet në Milano. Kjo ka bllokuar idenë e shkëmbimit, që dukej se mund të realizohej në orët e fundit të merkatos, transmeton ORAinfo.

Negociatat për Dovbyk-un vazhdojnë

Pavarësisht dështimit të shkëmbimit, Milani ka arritur një marrëveshje personale me Dovbyk-un, duke diskutuar kushtet kontraktuale dhe projektin sportiv. Aktualisht, kuqezinjtë po negociojnë me Romën për një formulë huazimi me opsion blerjeje.

Roma pret zëvendësuesin

Nga ana tjetër, Roma nuk është e gatshme ta lërë të lirë sulmuesin ukrainas pa gjetur më parë një alternativë. Pa një zëvendësues të sigurt, verdhekuqtë nuk pranojnë të finalizojnë transferimin.

“Orë të çmendura në merkato”

Drejtori Ricky Massara, përpara ndeshjes me Pizën, deklaroi për Sky Sport 24:

“Shkëmbimi nuk ka ndodhur. Orët e fundit kanë qenë kaotike, është e vërtetë, por për momentin nuk ekziston asgjë konkrete.”

Ndërkohë, eksperti i merkatos Matteo Moretto theksoi se palët janë ende në kontakt dhe gjithçka varet nga gjetja e një zëvendësuesi për Dovbyk-un nga ana e Romës.

Dilema e Allegrit

Nëse marrëveshja finalizohet, Milani do të ketë tre sulmues të fuqishëm në dispozicion, një luks i rrallë por edhe një “dhimbje koke” për Massimiliano Allegrin, i cili do të duhet të menaxhojë konkurrencën e fortë në repartin ofensiv. /ORAinfo/