Milani ‘shkatërron’ planet e Romës – nis ofensiva për yllin brazilian

AC Milan ka hyrë në garë për të siguruar shërbimet e mbrojtësit të talentuar brazilian, Wesley Vinícius França Lima, i njohur thjesht si Wesley, i cili aktivizohet te Flamengo. Lajmi raportohet nga “Sky Sport”, ku theksohet se kuqezinjtë kanë pyetur për situatën e lojtarit, ndërkohë që AS Roma mbetet në avantazh, pasi ka arritur një […]

Milani ‘shkatërron’ planet e Romës – nis ofensiva për yllin brazilian

AC Milan ka hyrë në garë për të siguruar shërbimet e mbrojtësit të talentuar brazilian, Wesley Vinícius França Lima, i njohur thjesht si Wesley, i cili aktivizohet te Flamengo.

Lajmi raportohet nga “Sky Sport”, ku theksohet se kuqezinjtë kanë pyetur për situatën e lojtarit, ndërkohë që AS Roma mbetet në avantazh, pasi ka arritur një marrëveshje personale me futbollistin, përcjell ORAinfo.

Megjithatë, klubi kryeqytetas ende nuk ka rënë dakord me Flamengon për shumën e transferimit, gjë që i lë derë të hapur Milanit për të ndërhyrë dhe për të tentuar një “rrëmbim” në momentet e fundit.

Wesley, 21 vjeç, është një produkt i akademisë së Flamengos dhe ka zhvilluar 135 paraqitje me klubin brazilian, duke shënuar 3 gola dhe dhënë 6 asiste në të gjitha kompeticionet. Ai ka debutuar gjithashtu për kombëtaren e parë të Brazilit, ku ka regjistruar dy paraqitje.

Sipas Transfermarkt, vlera aktuale e lojtarit llogaritet rreth 20 milionë euro, por nuk është bërë e ditur ende se sa kërkon Flamengo për ta lënë të lirë mbrojtësin e djathtë.

Në të njëjtën kohë, Milani po vlerëson edhe alternativa të tjera për këtë pozicion. Raportimet nga Italia bëjnë të ditur se kuqezinjtë do të tentojnë një përpjekje të fundit për Guela Doué të Strasburgut, ndërsa Marc Pubill i Almerias është një tjetër emër që ndodhet në listën e dëshirave.

Situata mbetet e hapur dhe pritet të zhvillohet me shpejtësi në ditët në vijim, me Milanin që synon të përforcojë krahun e djathtë të mbrojtjes për sezonin e ri. /ORAinfo/