Mungon prokurori, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për kanosjen e prokurorit special Naim Abazi

Në mungesë të prokurorit të rastit Ali Hajdini, ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar të mërkurën ndaj të akuzuarit Hasan Mani, i cili po ngarkohet për kanosjen e prokurorit special, Naim Abazi. Lidhur me mungesën e prokurorit Hajdini, gjykatësja e rastit Naime Krasniqi-Jashanica tha se do të njoftohet kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah […]

Mungon prokurori, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për kanosjen e prokurorit special Naim Abazi

Në mungesë të prokurorit të rastit Ali Hajdini, ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar të mërkurën ndaj të akuzuarit Hasan Mani, i cili po ngarkohet për kanosjen e prokurorit special, Naim Abazi.

Lidhur me mungesën e prokurorit Hajdini, gjykatësja e rastit Naime Krasniqi-Jashanica tha se do të njoftohet kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi.

“I kontaktuar, prokurori i rastit Ali Hajdini ka deklaruar se deri në ora 13:00 nuk do të jetë i pranishëm edhe përkundër se Prokuroria ka pranuar ftesën më 28.05.2024. Për mosprezencën do të njoftohet kryeprokurori”, tha gjykatësja Krasniqi-Jashanica, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, prezent në seancën e sotme ishte i akuzuari Mani bashkë me mbrojtësin e tij, avokatin Bekim Sylejmanin.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 2 qershor 2021, Hasan Mani ngakohet se më 13 prill 2021 se rreth orës 10:00 në Prishtinë, e ka kanosur seriozisht në cilësinë e personit zyrtar, prokurorin Naim Abazi.

Sipas aktakuzës, kanosja kishte ndodhur në momentin kur tani i dëmtuari Abazi në ambientet e Prokurorisë Speciale e kishte takuar për ta njoftuar tani të akuzuarin Mani, se kallëzimi penal i ushtruar nga ai për një rast ishte hedhur poshtë. Në aktakuzë thuhet se në atë moment i akuzuari Mani i drejtohet prokurorit me fjalët “Ti nuk je shqiptar, ti je idiot, ke me pa ti”, me ç’rast te i dëmtuari Abazi i shkakton ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për veten dhe familjen e tij.

Për këtë veprim, i akuzuari Mani po ngarkohet se ka kryer me veprën penale “Kanosja” nga neni 81, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.