Muriqi optimist për kualifikimin në Champions, flet edhe për rivalitetin me Lukakun

Vedat Muriqi është paraqitur për herë të parë në formacionin bazë të Fenerbahçes pas rikthimit te gjiganti turk, duke luajtur 82 minuta në barazimin 1:1 ndaj Lyonit në ndeshjen e parë të plejofit kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Sulmuesi kosovar pati një paraqitje të mirë në ndeshjen e zhvilluar të martën mbrëma në Stamboll, ndërsa rezultati e lë të hapur kualifikimin për fazën e ligës së Championsit.
Ndeshja e kthimit mes Lyonit dhe Fenerbahçes zhvillohet më 26 gusht, nga ora 21:00, në Francë.
Pas ndeshjes, Muriqi ka falënderuar tifozët për përkrahjen dhe ka vlerësuar faktin që Fenerbahçe luan para stadiumit të mbushur, pavarësisht rezultateve.
“I çmoj të gjithë ata për përpjekjet dhe përkrahjen. Mendoj se kemi bërë ndeshje të mirë. Pranuam gol në fund të pjesës së parë dhe pjesën e dytë e kemi nisur mirë. Pas golit të barazimit morëm kontrollin. 1:1 është gjithnjë rezultat më i mirë se humbja. Do të donim të kishim rezultat më të mirë për të pasur avantazh për ndeshjen e kthimit, por nuk ndodhi. I presim tifozët tanë edhe në Francë. Duam ta dëgjojmë himnin e Ligës së Kampionëve, të cilin po e presim për shumë vjet, këtu në Kadikoy, duke fituar në Francë”, ka thënë Muriqi, shkruan faqja zyrtare e Fenerbahçes.
32-vjeçari ka treguar se rikthimi i tij në formacion nuk ishte i lehtë, pasi pësoi një lëndim të hamstringut në ditët e para të fazës përgatitore. Ai ka thënë se, pavarësisht se procesi i rikuperimit ishte paraparë të zgjaste më shumë, është rikthyer më herët falë punës së stafit mjekësor dhe profesional të klubit.
“Pasi ndodhi në fazë kritike, procesi i rikuperimit duhej të ishte më i gjatë, por mendoj se jam kthyer shumë më herët se që është pritur. Falë fizioterapeutëve, masazherëve, mjekëve, trajnerit të fitnesit dhe gjithë stafit isha në gjendje të luaja për 80 minuta. Jam sulmues dhe duhet të shënoj gola. E di këtë, por kam luajtur më parë këtu dhe ata që më njohin e dinë se synimi im parësor është të jem i vlefshëm për ekipin. Nëse isha i vlefshëm, nëse kam bërë presion në ekipin kundërshtar me përpjekjet, kjo mjafton për mua, do të jem i lumtur. Nëse ka gol, do të jem dyfish i lumtur. Por golat do të vijnë. Mendoj se jemi ekip shumë, shumë i mirë”, ka thënë Muriqi.
Në minutën e 82-të, Muriqi u zëvendësua nga Romelu Lukaku, i cili iu bashkua Fenerbahçes vetëm pak ditë më parë.
Sulmuesi kosovar ka thënë se pret të mësojë shumë nga bashkëlojtari i tij i ri, të cilin e ka vlerësuar si një futbollist të nivelit botëror.
“Lukaku ka arritur, mund ta quajmë yll botëror. Do të mësoj shumë prej tij. Mendoj se e plotësojmë njëri-tjetrin. Ai gjithashtu është person me qëllime shumë të mira. Fenerbahçe duhet t’i ketë gjithnjë dy-tri opsione të mira në sulm, mbrojtje e mesfushë. Mendoj se e kemi këtë tani. Luajmë 40-50 ndeshje në vit. Nuk ka rëndësi nëse luan Lukaku apo Vedati, nëse Lukaku aktivizohet apo Vedati aktivizohet. Jemi të fokusuar te synimi kryesor. Duam të kualifikohemi në Champions fillimisht dhe më pas të bëhemi kampionë”, ka thënë Muriqi.
Para ndeshjes ndaj Lyonit, Muriqi kishte luajtur dy takime si zëvendësues, ndërsa të martën mori për herë të parë vendin në formacionin bazë pas rikthimit te Fenerbahçe.
Plejofi përbën fazën e fundit kualifikuese para fazës së ligës në Ligën e Kampionëve, e cila e ka zëvendësuar formatin e mëparshëm të fazës së grupeve.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



