Nafta në Kosovë: Rezervat mbulojnë vetëm pak ditë, paralajmërohet rritje e çmimeve

Nafta në Kosovë: Rezervat mbulojnë vetëm pak ditë, paralajmërohet rritje e çmimeve

Çmimi i derivateve në Kosovë nuk pritet të ulet shpejt, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e rritjes së mëtejshme në muajt e ardhshëm.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Zekim Istogu, tha për KosovaPress se varësia e plotë nga importi dhe mungesa e rezervave strategjike e bëjnë tregun vendor të ekspozuar ndaj lëvizjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

“Kosova 100 për qind furnizohet nga importi dhe për shkak të mungesës së stoqeve të mëdha brenda vendit, efekti i çmimit ndërkombëtar automatikisht ndikon tek çmimi në Kosovë”, tha Istogu.

Sipas tij, situata në Lindjen e Mesme dhe nivelet e ulëta të rezervave në tregjet ndërkombëtare nënkuptojnë se edhe në rast të stabilizimit të konfliktit, çmimet mund të mbeten të larta për një periudhë më të gjatë.

Istogu paralajmëroi se çmimi mund të rritet edhe më tej gjatë muajve të ardhshëm, ndërsa një ulje graduale mund të ndodhë drejt fundit të vitit ose në fillim të vitit të ardhshëm. Ai theksoi se zhvillimet në tregun ndërkombëtar mbeten të paparashikueshme.

Një nga shqetësimet kryesore për Kosovën është mungesa e rezervave shtetërore të derivateve. Sipas Istogut, operatorët kanë rezerva që mbulojnë afërsisht pesë ditë konsum, ndërsa vendi nuk ka rezerva strategjike shtetërore në një nivel që do të mund të amortizonte një ndërprerje ose goditje të furnizimit.

Kosova importon më shumë se 900 milionë litra naftë dhe benzinë në vit, ose rreth 2 deri në 3 milionë litra në ditë, në varësi të sezonit. Istogu thotë se çmimet e larta kanë filluar të ndikojnë edhe në konsum, me importet e vitit 2026 që nuk po shënojnë të njëjtën rritje si në vitet paraprake.

Sipas tij, një ulje e pjesshme e akcizës do të mund të lehtësonte çmimin për konsumatorët. Aktualisht, akciza është 36 centë për litër për naftën dhe 38.5 centë për benzinën, ndërsa mbi këto dhe kostot e tjera aplikohet TVSH-ja.

Istogu vlerëson se rritja e çmimeve ka sjellë edhe të hyra më të larta për buxhetin e Kosovës përmes TVSH-së. Sipas tij, që nga fillimi i krizës, konsumatorët kanë paguar rreth 217 milionë euro më shumë për derivate jashtë vendit krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa rreth 33 milionë euro më shumë kanë përfunduar në buxhet përmes tatimeve.

Ndërkohë, pas heqjes së çmimit maksimal të lejuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë më 4 shtator, çmimet në pikat e shitjes përcaktohen përsëri nga tregu.

Çmimi i naftës në Kosovë ka arritur rreth 1.83 euro për litër, ndërsa gjatë periudhës së rregullimit të çmimeve kishte arritur deri në rreth 1.91 euro për litër.

Istogu thotë se konkurrenca në tregun kosovar mbetet e lartë dhe se më shumë se 50 kompani kanë licenca për import të derivateve, megjithëse pjesën më të madhe të importit e kontrollojnë rreth shtatë deri në tetë kompani.

Për momentin, sipas tij, zhvillimet në tregjet ndërkombëtare mbeten faktori kryesor që do të përcaktojë nëse çmimet në Kosovë do të rriten apo do të fillojnë të bien në muajt e ardhshëm.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.