VLEN: Nuk kemi ndërmend të bëhemi pjesë e lojërave të pista në kurriz të banorëve të Bërvenicës

VLEN ka publikuar komunikatën zyrtare për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Komunën e Bërvenicës.
Nga shtabi i VLEN vlerësojnë se rezultati i deritanishëm ka konfirmuar pakënaqësinë e qytetarëve me udhëheqjen e deritashme dhe nevojën për një model të ri qeverisës.
Në komunikatën e tij zyrtare drejtuar opinionit dhe banorëve të Bërvenicës, VLEN falënderon votuesit për mbështetjen e dhënë dhe thekson se nuk do bëhen pjesë e lojërave të pista në kurriz të banorëve të kësaj komune.
Komunikata e plotë e VLEN:
Banorët e Bërvenicës folën më 18 tetor dhe ne e respektojmë këtë vendim. Që në përmbyllje të votimit, kandidati ynë Jakup Huseini, bashkë me shtabin lokal, ia uruan fitoren Arkin Jahijit dhe i ofruan mbështetje për rrethin e dytë.
Tani përgjegjësia është te Arkin Jahiji dhe koalicioni i tij që të mobilizojë votuesit për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Megjithatë, konsiderojmë se vokabulari i opozitës këto ditë nuk i shërben unifikimit. Fjalori nxitës dhe përçarës, sulmet ndaj kandidatit tonë përkundër konstruktivitetit të tij, ka për qëllim të arrijë efektin e kundërt.
Nuk kemi ndërmend të bëhemi pjesë e lojërave të pista në kurriz të banorëve të Bërvenicës. Votuesit tonë janë të orientuar që natën e zgjedhjeve pro unitetit dhe pro kandidatit shqiptar. Çdo përfshirje e Bërvenicës në pazare politike, siç e ka dëshmuar BDI-ja në të kaluarën, do të jetë tradhëti ndaj votuesve të tyre dhe çdo qytetari të Bërvenicës.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



