“Më ndihmo t’i denoncojmë rastet kur ka korrupsion në mjekësi”, Deputeti i PS i përgjigjet studentes

Deputeti i PS, Adi Qose i ftuar këtë të premte në emisionin “Review” me Greta Topjana në Euronews Albania ka folur lidhur me protestën studentore. Ai gjithashtu iu përgjigjes studentes së mjekësisë, Dhimitra Nushi e cila listoi problematikat që has ajo me kushtet nëpër spitale.
Qose gjatë fjalës së tij theksoi se qeveria ka ndërtuar mekanizma që garantojnë meritokracinë, duke përmendur si shembull portalin e punësimit për mjekët dhe infermierët. Sipas tij, ky sistem ka eliminuar ndikimet në punësim.
Duke iu referuar pretendimeve për përfshirjen e të afërmve të politikanëve në specializime dhe punësime, deputeti theksoi se fëmijët e zyrtarëve kanë të drejtë të shkollohen, por shtoi se çdo padrejtësi duhet të denoncohet me emra dhe mbiemra.
“Unë dua t’i them sot Dimitrës që jemi ne kjo qeveri e cila në këto 13 vite kemi ndërtuar një portal i cili i siguron infermierëve dhe mjekëve që në përfundim të shkollimit të tyre të bëhen pjesë e këtij portali për të siguruar pozicionin e tyre të punës. Një mekanizëm i cili deri dje nuk ekzistonte.
Deri dje ishte në dorën e X-it ose të Yit për të zgjedhur kush janë mjekët dhe infermierët të cilët do punësohen në spitalet e Shqipërisë. Sot jo më. Sot përmes një portali ne i kemi bërë të mundur që gjithkush të konkurojë dhe në bazë të meritokracisë dhe të pikëve që marrin të punësohet në spitalet e Shqipërisë.
Këto janë arsye pse ne duhet të diskutojmë, këto janë arsye pse ne duhet të dialogojmë me njëri-tjetrin dhe patjetër shqetësimi duhet të ekzistojë dhe duhet të jetë aty gjithmonë për të na vënë të gjithëve përballë të përgjegjësisë se si mund ta bëjmë më mirë, se si të rinjtë shqiptarë mund të kenë më shumë mundësi nesër për punësim. Por ja unë po përmend vetëm një fakt.
Portali është një fakt i cili ka shtuar meritokracinë e punësimit të infermierëve dhe të mjekëve sot në spitalet e Shqipërisë. Po dhe për të kaluar te specializimi që ju po më thoni unë mendoj që nuk na shkon përshtat sidomos ne të rinjve të flasim në specializim. Ka hyrë vajza, ka hyrë djali i një ministri, i një deputeti.
Unë të inkurajoj dhe të ftoj që të jemi të dy bashkë dhe t’i denoncojmë rastet se kush është ky djali i këtij deputeti, kush është djali i këtij ministri. Unë të inkurajoj jo vetëm ty, por këdo tjetër, të rinj, pedagogë, kushdo një qytetar që njeh një rast të tillë që fëmija i një deputeti, i një ministri me emër dhe mbiemër, hajde dhe t’i denoncojmë në qoftë se ka fituar me pa drejtë.
Por të jesh e sigurt që dhe fëmija i një deputeti dhe një ministri ka të drejtë të shkollohet apo duhet t’ia ndalojmë këtyre fëmijëve që të shkollohen? Në qoftë se ti ke prova të mjaftueshme, jo vetëm ti, por kushdo, hajde t’i denoncojmë raste. Ne këtu jemi t’i denoncojmë, t’i flasim, t’i dërgojmë para përgjegjësisë, por jo të themi atje fitojnë djemtë e deputetit, atje fitojnë djemtë e ministrit, sepse këto janë informacione të pabaza, të cilat e karikojnë dhe opinionin publik pastaj me një informacion i cili mundet ose mund të mos jetë i pavërtetë,” tha ai.
The post “Më ndihmo t’i denoncojmë rastet kur ka korrupsion në mjekësi”, Deputeti i PS i përgjigjet studentes appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



