Nënkryetarja e PDK-së: Jemi duke i vuajtur pasojat e keqqeverisjes

Nënkryetarja e PDK-së, Mimoza Ahmetaj ka thënë se në këto 25 vjet asnjëherë nuk e kishte menduar që Kosova do të ishte nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur sipas saj, dihet që pikërisht kanë qenë këta popuj dhe këto shtete që e kanë përkrahur Kosovën për çlirim. Ahmetaj tha se […]

Nënkryetarja e PDK-së: Jemi duke i vuajtur pasojat e keqqeverisjes

Nënkryetarja e PDK-së, Mimoza Ahmetaj ka thënë se në këto 25 vjet asnjëherë nuk e kishte menduar që Kosova do të ishte nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur sipas saj, dihet që pikërisht kanë qenë këta popuj dhe këto shtete që e kanë përkrahur Kosovën për çlirim.

Ahmetaj tha se 25 vjet më herët është paramenduar që në këtë një çerek shekulli Kosova do të duhej të ishte tashmë në proces të anëtarësimit drejt BE-së, duke negociuar dhe të ishte shtet anëtar në NATO, por siç tha ajo, tani e kemi një qeveri e cila e solli Kosovën nën sanksione.

“E përcolla aktivitetin e djeshëm të shënimit të kësaj date. Ajo që lë për të dëshiruar është përbërja e delegacioneve të cilat ishin pjesëmarrëse në Kosovë. Ne pamë një mori mysafirësh të cilët kanë qenë në periudha të ndryshme të implikuar me çlirimin dhe lirinë e vendit, por është fatkeqësi se nuk e pamë asnjë nga burrështetasit  e politikës së tanishme evropiane apo amerikane. D.m.th. ishin memorie të së kaluarës, por asnjë nga burrështetasit përveç presidentit të Shqipërisë, i cili na nderoi  dhe mori pjesë. Niveli i pjesëmarrjes ishte i ulët, e që tregon se Kosova vazhdon të jetë nën sanksione”, tha ajo në një intervistë në “Info Plus” të RTK-së.

Duke folur për mundësinë e heqjes së shpejt të sanksioneve në takimin e Këshillit Evropian, ku liderët e shteteve anëtare do të takohen të hënën,  Ahmeti u shpreh skeptike.

“Nëse çështja e Kosovës do të diskutohet apo jo kam dilema. Do të doja që jo të diskutohej por këto sanksione të na hiqeshin sepse jemi ne qytetarët e Kosovës që jemi duke i  vuajtur pasojat e një keqqeverisje dhe që të kalonim në një stad tjetër. Ne jemi efekt anësor i politikave të gabuara të cilat Kosovën e sollën para sanksioneve politike  dhe atyre ekonomike. Për më tepër ne i shkatërruam të gjithë partneritetin që kishim me shtetet partnere të BE-së. Druaj që një gjë e tillë do të diskutohet “, tha Ahmeti.

Tutje nënkryetarja e PDK-së komentoi edhe deklarimet e sotme të zyrtarëve  të Bashkimit Evropian  të cilët thanë që Serbia po i shkel marrëveshjet në raport me Kosovën  dhe po lobon kundër saj.

“Shteti serb është shteti serb .E kemi një riciklim të liderëve të viteve të 90-ta që i kanë nisë luftërat në ish-Jugosllavi, të cilët edhe sot vazhdojnë të jenë në krye të shtetit. Për këtë edhe në nivel botëror në OKB, Serbia u vërtetua  edhe njëherë që është shtet gjenocidal”, tha ajo.