Nga Nexhat Daci te Albulena Haxhiu, ja kush e drejtoi Kuvendin nga viti 2001 deri sot

Tetë figura politike kanë mbajtur postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës që nga zgjedhjet e para parlamentare të vitit 2001.
Kuvendi i legjislaturës së parë u konstituua më 10 dhjetor 2001. Në krye të tij u zgjodh Nexhat Daci nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ai e drejtoi institucionin deri në mars 2006, duke përfshirë këtu edhe një gjysmë mandati nga lagjislatura e dytë.
Pas tij, drejtimin e mori bashkëpartiaku Kolë Berisha. Ai u zgjodh më 10 mars 2006 dhe qëndroi në këtë pozitë deri në përfundimin e legjislaturës së dytë, në dhjetor 2007.
Kryetar i Kuvendit më pas u zgjodh Jakup Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës. Ai e udhëhoqi institucionin gjatë dy legjislaturave, deri në vitin 2014.
Gjatë mandatit të Krasniqit, më 17 shkurt 2008, Kuvendi miratoi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Pas zgjedhjeve të vitit 2014, kryeparlamentar u zgjodh Kadri Veseli. Ai mori drejtimin e Kuvendit më 8 dhjetor 2014, pas marrëveshjes për formimin e institucioneve mes PDK-së dhe LDK-së.
Veseli u rizgjodh kryetar edhe më 7 shtator 2017 dhe e drejtoi Kuvendin deri në përfundimin e legjislaturës së gjashtë, në vitin 2019, si pjesë e koalicionit PAN (PDK-AAK-NISMA) që kishte dituar zgjedhjet e këtij viti.
Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh kryetar i legjislaturës së shtatë, më 26 dhjetor 2019.
Mandati i parë i tij zgjati vetëm disa javë. Ai u largua nga posti në shkurt 2020, pasi u emërua zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.
Më 3 shkurt 2020, kryetare e Kuvendit u zgjodh Vjosa Osmani.
Ajo qëndroi në këtë pozitë më pak se 1 vit, meqenëse pas zgjedhjeve tjera të parakohshme, në shkurt 2021, u bë presidente e shtetit.
Osmanin e zëvendësoi Konjufca që u rikthye në krye të institucionit për legjislaturën e tetë, ku qëndroi deri në fund të mandatit
Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, Kuvendi kaloi disa muaj në ngërç. Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti t’i siguronte votat për kandidaten e parë, Albulena Haxhiu, ani se provoi ta bëjë këtë në dhjetëra seanca.
Më 26 gusht 2025, kryetar i legjislaturës së nëntë u zgjodh Dimal Basha.
E dhjeta, e dalë nga zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit 2025, u konstituua më 11 shkurt 2026. Kryetare e Kuvendit u zgjodh Albulena Haxhiu.
Haxhiu qëndroi në këtë pozitë deri në shpërndarjen e legjislaturës, pas dështimit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, në prill.
Legjislatura aktuale, e njëmbëdhjeta, ende nuk e ka zgjedhur kryetarin. Lëvizja Vetëvendosje pritet ta propozojë përsëri Haxhiun për këtë post.
Përveç kryetarëve të zgjedhur, seancat konstituive janë drejtuar përkohësisht nga deputetët më të vjetër. Në periudha të ndryshme këtë rol e kanë pasur edhe Flora Brovina, Adem Mikullovci, Jahja Kokaj dhe Avni Dehari.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



