Nis mbledhja e Bordit të Paqes, mbërrin Trump! Shtrëngim duarsh me Ramën dhe Osmanin
Instituti amerikan i Paqes në Uashington mirëpret sot takimin e parë të Bordit të Paqes të krijuar nga presidenti Donald Trump. Pjesë e takimit janë edhe Shqipëria, e përfaqësuar nga kryeministri Rama, dhe Kosova nga Vjosa Osmani. Në Uashington kanë mbërritur liderët, ndërsa sipas axhendës, mes 26 folësve është edhe kryeministri Rama. Ky i fundit do të firmosë […]
Instituti amerikan i Paqes në Uashington mirëpret sot takimin e parë të Bordit të Paqes të krijuar nga presidenti Donald Trump. Pjesë e takimit janë edhe Shqipëria, e përfaqësuar nga kryeministri Rama, dhe Kosova nga Vjosa Osmani. Në Uashington kanë mbërritur liderët, ndërsa sipas axhendës, mes 26 folësve është edhe kryeministri Rama. Ky i fundit do të firmosë dhe marrëveshjen për anëtarësimin e Shqipërisë në organizatë me statusin vend anëtar themelues.
I pari që do të mbajë fjalim është presidenti Trump, Marco Rubio, i cili ndiqet nga Witkoff. Bordi, i krijuar për rindërtimin dhe përpjekjet humanitare në Gaza, do të njihet edhe me njoftimin për 5 miliardë dollarët që shtetet anëtare kanë ofruar për këtë qëllim. Rindërtimi i Gazës pritet të kushtojë 70 miliardë dollarë, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, Bankës Botërore dhe Bashkimit Europian, pas më shumë se dy vitesh lufte. Nuk dihet nëse vendi ynë ka kontribuar me ndonjë shumë dhe as shifra lidhur me vendet e tjera, pasi do të jetë vetë Trump që do t’i shpallë, sipas postimit të tij në Truth Social. Deri më tani, dihet që në këtë fazë, Shqipëria nuk ka detyrime financiare.

Gjithashtu, shtetet anëtare janë angazhuar të dërgojnë trupa për një forcë ndërkombëtare stabilizimi në Gaza. Trump thotë se Bordi do të kthehet në “organin ndërkombëtar më me ndikim në histori”. “Do t’i kemi të gjithë liderët botërorë,” tha ai.
Faza e parë e planit të Trump për Gazën përfshinte një armëpushim mes Hamasit dhe Izraelit, i cili është respektuar pjesërisht, një rritje të ndihmës humanitare pavarësisht kufizimeve të vazhdueshme izraelite, si dhe lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe mijëra palestinezëve në burgjet izraelite.
Sipas rezolutës së Këshillit të Sigurisë së OKB-së që miratoi planin me 20 pika të Trumpit, kontributet me trupa nga shtetet anëtare të bordit do të përbëjnë Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit. Misioni i saj, i mandatuar nga OKB-ja deri në fund të vitit 2027, është të ndihmojë në sigurimin e zonave kufitare dhe të garantojë që Gaza të çmilitarizohet, “përfshirë shkatërrimin dhe parandalimin e rindërtimit të infrastrukturës ushtarake, terroriste dhe sulmuese, si dhe çaktivizimin e përhershëm të armëve nga grupet e armatosura jo-shtetërore”, si dhe të “mbrojë civilët … të trajnojë dhe të ofrojë mbështetje për forcat e verifikuara të policisë palestineze … dhe të sigurojë korridore humanitare”.
Forca e plotë në qershor pritet të arrijë rreth 8,000 trupa, shifër kjo më e lartë se disa vlerësime të mëparshme të spekuluara nga media. Forcës do t’i bashkohen edhe Kosova, Shqipëria e Greqia.

