Odat Ekonomike kundër ndërprerjes së energjisë për biznese nga 16 gushti, paralajmërojnë pasoja të rënda

Lidhja e Bizneseve të Kosovës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Oda Ekonomike e Britanisë në Kosovë dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit e Kosovës kanë shprehur shqetësimin e thellë për situatën e krijuar pas aktvendimit të nxjerrë nga Shkalla e Dytë e

Odat Ekonomike kundër ndërprerjes së energjisë për biznese nga 16 gushti, paralajmërojnë pasoja të rënda

Lidhja e Bizneseve të Kosovës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Oda Ekonomike e Britanisë në Kosovë dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit e Kosovës kanë shprehur shqetësimin e thellë për situatën e krijuar pas aktvendimit të nxjerrë nga Shkalla e Dytë e Gjykatës Komerciale.

Shoqatat i kanë bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të rishqyrtojë procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike dhe të mos zbatojë ndërprerjen e furnizimit me energji për biznese, siç është paralajmëruar të nisë nga 16 gushti.

Sipas tyre, një vendim i tillë do të shkaktonte pasoja të rënda ekonomike, përfshirë uljen e vendeve të punës, rritjen e çmimeve, shtimin e importeve, rënien e eksporteve dhe mbylljen e disa reparteve prodhuese.

“Ndërprerja e furnizimit me energji do të sjellë pasoja të jashtëzakonshme, duke filluar nga ulja e numrit të të punësuarve, rritja e çmimeve, rritja e importit dhe rënia e eksportit”,thuhet në njoftimin e përfaqësuesve të bizneseve në Kosovë.

Disa biznese, sipas odave, tashmë kanë ndërprerë punën, ndërsa të tjera po përballen me dëme për shkak të kontratave ndërkombëtare që tashmë janë nën kosto prodhimi, si pasojë e çmimeve të larta të energjisë.

Organizatat ekonomike theksojnë se nuk janë kundër liberalizimit të tregut të energjisë, por kundër mënyrës se si po zbatohet nga ZRRE, duke vënë në dukje mungesën e informimit të mjaftueshëm për këtë proces.

Ato shtojnë se çmimet e ofruara nga kompanitë e licencuara për furnizim me energji në Kosovë janë shumëfish më të larta se në vendet e rajonit, duke kërkuar dialog dhe zgjidhje që të mos dëmtohet ekonomia vendore.