Osmani i përgjigjet Vuçiqit pas sulmeve ndaj Turqisë: Ai po kërcënon një vend të madh të NATO-s që ndihmon në mbrojtjen e paqes
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka sulmuar Turqinë pas pajisjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) me dronë të prodhuar në Turqi të llojit “Skydagger”. Vuçiq reagoi ashpër ndaj këtij zhvillimi, duke e akuzuar Ankaranë për “shkelje të Kartës së OKB-së dhe […]

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka sulmuar Turqinë pas pajisjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) me dronë të prodhuar në Turqi të llojit “Skydagger”.
Vuçiq reagoi ashpër ndaj këtij zhvillimi, duke e akuzuar Ankaranë për “shkelje të Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244”, dhe madje duke pretenduar se “Turqia po synon ringjalljen e Perandorisë Osmane”.
“Jam i tmerruar nga sjellja dhe shkelja brutale e Turqisë e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe nga armatosja e vazhdueshme e autoriteteve të Prishtinës. Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe ëndërron të ringjallë Perandorinë Osmane. Serbia është një vend i vogël, por ne e kuptuam mirë mesazhin!”, ka shkruar Vuçiq në platformën “X”.
Pas këtyre deklaratave, Presidentja Osmani e ka quajtur qëndrimin e Vuçiqit “të turpshëm” dhe ka thënë se ai po sulmon një vend të madh të NATO-s që ndihmon në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.
“Në të njëjtën ditë kur Presidenti Trump e lavdëroi Turqinë dhe Presidentin Erdogan për udhëheqjen e tyre të jashtëzakonshme në promovimin e paqes dhe sigurisë globale, Vuçiq po e sulmon Turqinë, një vend që si anëtare e NATO-s po na ndihmon në mbrojtjen e paqes,” ka deklaruar Osmani.
Ajo ka theksuar se është krenare për bashkëpunimin me Presidentin Erdogan, duke e cilësuar atë “një njeri të fjalës dhe mik të vërtetë të popullit të Kosovës”.
“Jam krenare që kam punuar ngushtë me Presidentin Erdogan, një njeri të fjalës, që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për stabilitetin dhe sigurinë. Ndërkohë, Vuçiq duket se mendon se mund të kërcënojë një vend të madh të NATO-s si Turqia, njësoj siç kërcënon vendet fqinje,” ka shtuar ajo.
Sipas Osmanit, në vend që të forcojë bashkëpunimin me aleatët perëndimorë, Vuçiq po thellon marrëdhëniet ushtarake me Rusinë, Kinën dhe Iranin, gjë që rrezikon paqen në rajon.
“Ne do të vazhdojmë të forcojmë lidhjet me aleatët e NATO-s, duke modernizuar kapacitetet tona mbrojtëse sipas standardeve të NATO-s dhe duke kontribuar në sigurinë kolektive. Vuçiq duhet të bëjë të njëjtën gjë, në vend që të sulmojë vazhdimisht fqinjët e tij,” ka përfunduar Osmani.
Në fund të reagimit, ajo i ka shprehur falënderim popullit turk dhe Presidentit Erdoğan, duke shkruar në gjuhën turke:
“Fakeminderit president Ergodan dhe populli vëlla turk, që na ndihmoni në mbrojtjen e paqes dhe që gjithmonë qëndroni në krah të popullit të Kosovës. Uroj që lidhja jonë e fortë të jetë e përhershme.”