Tetë parti shqiptare garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet në Serbi

Tetë parti shqiptare garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet në Serbi

Tetë parti shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja garojnë me listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar” në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen këtë të diel, më 25 tetor, në Serbi, me synimin për ta rritur përfaqësimin e tyre në Kuvend.

Pas vitesh përçarjesh dhe rivalitetesh, partitë u bashkuan me ndërmjetësimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ato synojnë të fitojnë tri mandate në Kuvendin e Serbisë, ku komuniteti shqiptar kishte vetëm një deputet në përbërjen e kaluar.

Në prag të zgjedhjeve, Kurti dhe presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, u bënë thirrje shqiptarëve të këtyre komunave që jetojnë në Kosovë dhe kanë të drejtë vote të shkojnë në vendlindje për të votuar.

Në mesazhin e publikuar më 24 tetor, Kurti kërkoi shprehimisht mbështetje për “Koalicionin Shqiptar”, i cili mban numrin 17 në fletëvotim.

“Diskriminimi, përjashtimi dhe shtypja kërkojnë një përgjigje të vendosur demokratike. Me solidaritet. Me këmbëngulje. Me pjesëmarrje”, tha ai.

Kurti shtoi se shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë të drejtë ta ndërtojnë jetën në vendlindje, me mundësi të barabarta.

Shiroka Pula, në thirrjen e saj të 24 tetorit, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes për forcimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve.

“Bashkimi është çelësi i përfaqësimit më të fuqishëm politik. Prandaj, bashkë në listë dhe bashkë në votim. Për më shumë deputetë shqiptarë në Parlamentin e Serbisë”, tha ajo.

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2022, në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë.

The post Tetë parti shqiptare garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet në Serbi appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.