“Pema e Jetëve” në zemër të Prishtinës – Thirrje për drejtësi për të zhdukurit gjatë luftës

Në një ceremoni në qendër të kryeqytetit, mbi parkingun në afërsi të Sheshit “George Bush”, u përurua memoriali “Pema e Jetëve”, një vepër arti dhe kujtese që u ngrit në nderim të mijëra personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. I konceptuar nga artistët Dea Gjinovci dhe Armand de Benoist de Gentissart, memoriali përbëhet nga

“Pema e Jetëve” në zemër të Prishtinës – Thirrje për drejtësi për të zhdukurit gjatë luftës

Në një ceremoni në qendër të kryeqytetit, mbi parkingun në afërsi të Sheshit “George Bush”, u përurua memoriali “Pema e Jetëve”, një vepër arti dhe kujtese që u ngrit në nderim të mijëra personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

I konceptuar nga artistët Dea Gjinovci dhe Armand de Benoist de Gentissart, memoriali përbëhet nga një trung peme pa degë, një simbol i fuqishëm i jetëve të ndërprera dhe boshllëkut që mungesa e tyre ka lënë në shoqëri. Në trupin e trungut janë gdhendur emrat e të zhdukurve në panele druri, shumë prej tyre të shkruar nga vetë duart e familjarëve.

Në ceremoninë e organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK), në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Personat e Zhdukur dhe me mbështetjen e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, morën pjesë përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë, familjarë të personave të zhdukur dhe qytetarë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në fjalimin e tij tha se kjo vepër arti nuk e shëron dhimbjen, por i jep zë. Ai e cilësoi “Pemën e Jetëve” si një pikëtakim të kujtesës kolektive, që na thërret të mos lejojmë që kujtimi të mbetet vetëm në zemrat e familjarëve, por të bëhet pjesë e ndërgjegjes sonë të përbashkët.

“Emrat e gdhendur këtu janë më shumë se shkronja mbi dru; ata janë kujtesë publike se secili emër, secila jetë, ka emër dhe identitet,” tha Rama, duke theksuar se mungesa e tyre është një plagë që nuk shuhet, por që përmes këtij memoriali bëhet thirrje për të mos harruar dhe për të kërkuar drejtësi.Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i FDHK-së, foli për përkushtimin shumëvjeçar të organizatës për të dokumentuar fatin e të zhdukurve dhe për të mbajtur gjallë kujtesën për ta.

“Ky memorial nuk është thjesht një vepër arti,” tha ai, “por një hapësirë e përhershme që shoqëria jonë të mos harrojë.”

Blakaj falënderoi familjarët për besimin dhe ndarjen e dhimbjes së tyre, si dhe të gjithë partnerët që ndihmuan në realizimin e projektit. Ai e përshkroi “Pemën e Jetëve” si një vend reflektimi, por edhe një vend ku kërkohet drejtësi dhe përgjegjësi. Ky memorial u përshëndet gjerësisht si një kontribut i çmuar për kulturën e kujtesës në Kosovë. Ai nuk është vetëm një homazh për të zhdukurit, por edhe një thirrje publike që e kaluara të mos mbulohet me harresë dhe që padrejtësitë të mos përsëriten më kurrë.