Përparim Rama përsëri flet për rrezikun e humbjes së Lojërave Mesdhetare: Duhet të flasim me komitetin për t’i parë ndryshimet që i kanë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar për rrezikun e humbjes së së drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke kërkuar nga institucionet që të veprojnë urgjentisht për t’i përmbushur obligimet e tyre.
Pas Samitit të Ballkanit, të mbajtur të hënën në Prishtinë, Rama theksoi se ekziston rrezik real që Kosova të mos arrijë t’i organizojë këto lojëra, për shkak të obligimeve financiare të papërmbushura dhe mungesës së përgjigjeve ndaj kërkesave të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.
“Ka rrezik real. E keni parë letrën nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare, që i është dërguar kryeministrit, mua si kryetar dhe presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës, ku saktësisht theksohet se nuk janë paguar shumat që është dashur të paguhen, sipas një pjese të kontratës, dhe po ashtu nuk u janë kthyer përgjigje”, deklaroi Rama për “KosovaPress”.
Ai kërkoi koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve deri më 19 dhjetor, në mënyrë që të adresohen të gjitha shqetësimet dhe të shmanget rreziku i humbjes së organizimit.
“Duhet ta marrim këtë çështje me seriozitetin më të madh, të takohemi vazhdimisht deri më 19 dhjetor edhe me përfaqësuesit e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, t’i diskutojmë dhe t’i shqyrtojmë të gjitha pikat për të cilat ata kanë hezitime apo dyshime se nuk do të realizohen”, u shpreh Rama tutje.
Ai theksoi se institucionet duhet t’i përmbushin obligimet me kohë, në mënyrë që Kosova të mos përballet me ndonjë befasi të pakëndshme lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” janë paraparë të mbahen nga 24 korriku deri më 4 gusht të atij viti.
Në këtë organizim pritet të marrin pjesë rreth 5 mijë sportistë nga 26 vende të ndryshme të botës, me 24 sporte të ndryshme.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



