Përplasje në LDK, Bajrami – Abdixhikut: Jeni i fundit që mund të flisni për parime

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, pas deklaratave të tij për parimet, shtetin dhe ambiciet politike.
Bajrami ka kritikuar ashpër Abdixhikun për rezultatet zgjedhore të LDK-së nën drejtimin e tij, duke thënë se ai duhet të kishte marrë përgjegjësi dhe të largohej nga udhëheqja e partisë.
“Një humbës i trefishtë, humbës i zgjedhjeve të njëpasnjëshme, i degradimit dhe i përçarjes së partisë, po flet për parime, shtet, dhe ambiciet në LDK. Mbrëmë u rezervova të flisja për kryetarin e LDK-së, dhe kam munguar në medie që një kohë pikërisht për ta ruajtur shtëpinë time”, ka shkruar Bajrami në Facebook, transmeton Klankosova.tv.
Sipas Bajramit, Abdixhiku duhej të largohej pas humbjeve të njëpasnjëshme zgjedhore.
“Ju jeni i fundit, ama bash i fundit, që mund të flisni për parime, ambicie, shtet e pushtet, sepse parimet maten me përgjegjësi. Kur i humbët në zgjedhjet e para, duhej ta mbanit premtimin dhe zotimin publik për t’u larguar. Kur e përsëritët humbjen, duhej të merrnit përgjegjësi dhe t’i hapnit rrugë një udhëheqjeje tjetër. Dhe kur shënuat një tjetër rekord humbjesh më 7 qershor, duhej të largoheshit nga udhëheqja e LDK-së, kokulur. Po, është e saktë se shteti nuk rrotullohet rreth një ambicieje personale. Por shteti sot po rrotullohet nga një pushtet që po e nëpërkëmb rendin kushtetues, ligjor dhe institucional, ndërsa çdo ditë përpiqet t’i kapë e t’i kontrollojë institucionet. Dhe pikërisht për ta ndalur këtë degradim, ambicieve të kujtdo për rrënimin e LDK-së duhet t’u themi STOP”, shtoi deputetja e LDK-së, njofton Klankosova.tv.
Ndër të tjera, deputetja Bajrami ka theksuar se beteja e LDK-së duhet të jetë për shtetin, por ka bërë thirrje që fillimisht të bëhet dallimi mes interesit të shtetit dhe interesit për pushtet brenda partisë.
“LDK-ja ka qenë dhe do të jetë gardiane e shtetit, e institucioneve dhe e rendit demokratik, jo admiruese e nënshtrimit të shtetit ndaj pushtetit. Betja e LDK-së duhet të jetë për shtetin, por shteti ka tema tjera. Pajtohem: s’rrotullohet shteti për një ambicie. Pikërisht për këtë arsye, le të flasim për shtetin, por, fillimisht, duhet ta bëjmë dallimin mes shtetit dhe karriges. T’i kthehemi shtetit”./Klankosova.tv
The post Përplasje në LDK, Bajrami – Abdixhikut: Jeni i fundit që mund të flisni për parime appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



