BDI: Përshëndesim gatishmërinë e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të parakohshme parlamentare

Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikata theksoi se e përshëndet deklaratën e Kryeministrit Hristijan Mickoski për gatishmërinë e VMRO-DPMNE-së që, në rast të një kërkese në Kuvend, të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Gatishmëria për të kërkuar zgjidhje përmes institucioneve dhe vullnetit të qytetarëve është përgjegjësi që duhet përshëndetur. BDI në vazhdimësi ka theksuar nevojën për një qeveri stabile, funksionale dhe legjitime, e cila do të reflektojë vullnetin politik dhe legjitimitetin e komuniteteve më të mëdha në vend. Stabiliteti institucional dhe përfaqësimi i drejtë janë parakushte për t’u përballur me sfidat e vendit. Në këtë drejtim, gatishmëria politike për t’ua kthyer qytetarëve fjalën përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në BDI vlerësohet si mundësi serioze dhe institucionale, duke vendosur në plan të parë interesin e qytetarëve, legjitimitetin politik dhe stabilitetin afatgjatë të vendit”, thuhet në komunikatën e BDI-së. (INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



