Pesë të arrestuar për keqpërdorim me pronat publike – Bastisje në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, ka realizuar një aksion të gjerë hetimor në kuadër të çështjes penale me shenjën “PP.I.126K/23”. Aksioni përfshiu bastisje të autorizuara nga gjykata në disa lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë këtij aksioni

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, ka realizuar një aksion të gjerë hetimor në kuadër të çështjes penale me shenjën “PP.I.126K/23”. Aksioni përfshiu bastisje të autorizuara nga gjykata në disa lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë këtij aksioni janë bastisur dy institucione shtetërore – Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Agjencia e Arkivave të Kosovës – si dhe disa lokacione të tjera që kanë interes për hetimin.
Prokuroria bën të ditur se pesë persona janë shoqëruar në polici, të identifikuar me inicialet: M.B., V.B., B.Sh., M.B. dhe Z.Sh., dhe se disa prej tyre janë arrestuar pas intervistimit.
“Hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, përkatësisht për bartjen e pronave publike në pronësi private përmes një aktgjykimi të falsifikuar”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, prona në fjalë ndodhet në lagjen Veternik të Prishtinës dhe i përket Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), përkatësisht ndërmarrjes shoqërore RTP.
Media KosovaPress raportoi më herët për bastisjet në dy institucionet shtetërore të përfshira në këtë rast.
Prokuroria Themelore në Prishtinë thekson se mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndjekjen e veprave penale që dëmtojnë interesin publik dhe pasurinë publike. Hetimet në këtë rast janë ende në zhvillim.