Policia asiston kontrollin e pyjeve në Ferizaj, iu konfiskohen drutë 6 traktorëve

Zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Ferizaj kanë asistuar sot zyrtarët e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës dhe Inspektoratit të Pyjeve në kuadër të aktivitetit të përbashkët “Patrullim dhe kontroll i përbashkët mobil APK-Polici-Inspektorati i Pyjeve”.
Sipas një komunikate për media, gjatë patrullimit dhe kontrollit të zhvilluar në tregun javor në fshatin Dardani të Ferizajt, janë identifikuar gjashtë mjete bujqësore, traktorë me rimorkio, të cilat transportonin masë drusore pa dokumentacionin përkatës.
Me asistimin dhe përcjelljen e zyrtarëve policorë, mjetet janë dërguar në Agjencinë e Pyjeve në Ferizaj, ku është bërë matja dhe pranimi i masës drusore të konfiskuar.
Ndërkohë, zyrtarët kompetentë të Agjencisë së Pyjeve kanë ndërmarrë procedurat e mëtejshme, duke përpiluar procesverbalet përkatëse të inspektimit lidhur me masën drusore të konfiskuar.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



