Policia britanike godet rrjetin kriminal që kontrabandonte mijëra telefona të vjedhur drejt Kinës
Policia Metropolitane në Londër ka goditur një rrjet të madh kriminal, i cili dyshohet se ka kontrabanduar afro 40 mijë telefona të vjedhur nga Britania e Madhe drejt Kinës në harkun e 12 muajve të fundit. Sipas autoriteteve, ky grup është përgjegjës për rreth 40% të vjedhjeve të telefonave në Londër. Hetimet nisën në dhjetor [...]Read More...

Policia Metropolitane në Londër ka goditur një rrjet të madh kriminal, i cili dyshohet se ka kontrabanduar afro 40 mijë telefona të vjedhur nga Britania e Madhe drejt Kinës në harkun e 12 muajve të fundit. Sipas autoriteteve, ky grup është përgjegjës për rreth 40% të vjedhjeve të telefonave në Londër.
Hetimet nisën në dhjetor të vitit 2024, kur në Aeroportin Heathrow u sekuestrua një dërgesë me rreth 1,000 iPhone, të cilat po transportoheshin drejt Hong Kongut. Gati të gjitha pajisjet rezultuan të vjedhura. Ky zbulim çoi në nisjen e një operacioni të gjerë policor, të quajtur “Echosteep”.
Më 23 shtator, dy persona u arrestuan në verilindje të Londrës dhe në pronat e tyre u gjetën rreth 2,000 pajisje. Gjatë javës që pasoi, u arrestuan edhe 15 persona të tjerë dhe u bastisën 28 prona në Londër dhe Hertfordshire, ku u sekuestruan dhjetëra pajisje të tjera.
Sipas policisë, kriminelët synonin veçanërisht telefonat Apple për shkak të vlerës së tyre të lartë në tregun e zi. Një iPhone 16 Pro Max mund të shitet deri në 5,000 paund në tregjet e huaja, ndërsa vjedhësit përfitojnë mesatarisht 200–300 paund për pajisje. Grabitjet ndodhnin shpesh në rrugë, ku autorët përdornin skuterë apo biçikleta elektrike dhe e fusnin telefonin në çanta që bllokojnë gjurmimin, të quajtura “faraday bags”.
Policia Metropolitane theksoi se vetëm në Londër, gjatë vitit të kaluar, janë raportuar mbi 80,000 telefona të vjedhur.
Kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, deklaroi se ky është operacioni më i madh i këtij lloji në historinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe se ka ndihmuar në një rënie prej 13% të vjedhjeve dhe grabitjeve në qytet gjatë tremujorit të parë të vitit 2025.