Policia e Kosovës apelon për kujdes: Mos kërceni nga ura në Liqenin e Ujmanit
Një ngjarje tragjike ka ndodhur të dielën në Liqenin e Ujmanit, ku dyshohet se një mërgimtar 33-vjeçar, Rr. Latifi, është hedhur nga ura në një lartësi prej rreth 20 metrash. Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të njësive të kërkim-shpëtimit, trupi i të riut ende nuk është gjetur, edhe pse kanë kaluar më shumë se 24 orë […] The post Policia e Kosovës apelon për kujdes: Mos kërceni nga ura në Liqenin e Ujmanit appeared first on Albinfo.

Një ngjarje tragjike ka ndodhur të dielën në Liqenin e Ujmanit, ku dyshohet se një mërgimtar 33-vjeçar, Rr. Latifi, është hedhur nga ura në një lartësi prej rreth 20 metrash.
Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të njësive të kërkim-shpëtimit, trupi i të riut ende nuk është gjetur, edhe pse kanë kaluar më shumë se 24 orë nga raportimi i rastit.
Lidhur me këtë rast ka reaguar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani. Ai ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe mërgimtarët që vizitojnë zonën që të mos kërcejnë nga ura.
“Qytetarët dhe mërgimtarët nuk duhet ta shohin këtë urë si të papërfillshme për nga lartësia. Vetëm pse kanë parë profesionistë që kërcejnë nëpër media, nuk do të thotë që është e sigurt për ta. Ne tani mund të shpresojmë vetëm të gjejmë trupin,” – tha Elshani, duke theksuar rrezikun dhe dhimbjen e madhe që po përjeton familja e të ndjerit.
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për mungesën e sinjalistikës në atë pjesë të liqenit dhe theksoi nevojën për masa parandaluese.
“Do të bisedojmë me kompaninë ‘Ibër Lepenci’ për të sqaruar nëse vendosja e shenjave paralajmëruese bie në kompetencën e tyre apo të Komunës. Besoj se kjo do të zgjidhet. Edhe nëse ka tabela, nëse mungon vetëdija, rreziku mbetet i pranishëm,” shtoi ai.
Autoritetet njoftojnë se operacioni i kërkimit do të vazhdojë me intensitet, ndërsa i bëjnë apel të gjithë qytetarëve të shmangin veprimet e rrezikshme dhe të tregojnë kujdes maksimal në zonat e liqenit.
The post Policia e Kosovës apelon për kujdes: Mos kërceni nga ura në Liqenin e Ujmanit appeared first on Albinfo.