Policia gjermane bastis zyrat e deputetit të AfD-së
Policia gjermane ka bastisur zyrat dhe banesat e një deputeti të njohur të ekstremit të djathtë, të partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD), si pjesë e një hetimi për pastrim parash dhe korrupsion që përfshin fonde kineze. Kontrollet në Berlin dhe Drezden të enjten erdhën pas një vendimi të parlamentit gjerman më herët gjatë ditës për [...]Read More...

Policia gjermane ka bastisur zyrat dhe banesat e një deputeti të njohur të ekstremit të djathtë, të partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD), si pjesë e një hetimi për pastrim parash dhe korrupsion që përfshin fonde kineze.
Kontrollet në Berlin dhe Drezden të enjten erdhën pas një vendimi të parlamentit gjerman më herët gjatë ditës për t’i hequr imunitetin Maximilian Krah, deputet nga Saksonia dhe ish-anëtar i Parlamentit Evropian.
Prokuroria e Drezdenit konfirmoi bastisjet, duke deklaruar se: “Po hetojmë një anëtar të Bundestagut (parlamentit gjerman) për ryshfet si përfaqësues i zgjedhur në Parlamentin Evropian dhe për pastrim parash në lidhje me pagesa nga Kina.”
Pas bastisjes policore në banesën e tij, Krah reagoi duke thënë: “Akuzat janë absurde, të fabrikuara dhe tërësisht të motivuara politikisht. Bastisja e zyrës sime është një përpjekje për frikësim, ndaj së cilës do të mbrohem.”
Ky hetim është një tjetër goditje ligjore për AfD-në, partia e ekstremit të djathtë që është bërë forca e dytë politike më e madhe në parlament, pasi fitoi një rekord prej 21% të votave në zgjedhjet e muajit shkurt. Kjo forcë politike ka qenë vazhdimisht në qendër të akuzave për nxitje të ekstremizmit politik.
Në prill të vitit të kaluar, asistenti parlamentar i Krah-ut në Parlamentin Evropian, Jian Guo, u arrestua nga policia gjermane pasi shërbimet e inteligjencës pretendojnë se kishin prova që ai spiunonte për Pekinin. Guo, i cili i mohon akuzat, është aktualisht në gjyq në Drezden.
Krah i tha Financial Times vitin e kaluar se arrestimi i Guo ishte pjesë e një “fushate nga autoritetet për të diskredituar AfD-në para zgjedhjeve evropiane”, që u mbajtën në qershor 2024.
“Në këto kohë, çdo kinez dyshohet si spiun,” shtoi Krah. “Është e gjitha paranojë.”
48-vjeçari Maximilian Krah është i njohur për polemikat e shumta. Karriera e tij politike tregon se si AfD ka mbështetur politikanë gjithnjë e më radikalë që nga themelimi i saj në vitin 2013 nga një grup akademikësh euroskeptikë.
Vitin e kaluar, Krah minimizoi përgjegjësinë e oficerëve të SS-së në Holokaust, duke i thënë Financial Times se “jo të gjithë ishin kriminelë”. Këto komente sollën përjashtimin e AfD-së nga një grupim i ekstremit të djathtë në Parlamentin Evropian, i udhëhequr nga partia franceze Tubimi Kombëtar.
Bashkëkryetarët e AfD-së, Alice Weidel dhe Tino Chrupalla, reaguan me kujdes të enjten, duke thënë se heqja e imunitetit dhe bastisjet janë çështje serioze. Ata shtuan: “Si grup parlamentar i AfD-së, presim që hetimi të përfundojë sa më shpejt dhe rezultatet të bëhen publike.”
Në maj, shërbimet e inteligjencës gjermane e klasifikuan zyrtarisht AfD-në si një parti ekstremiste, duke i dhënë autoriteteve kompetenca për mbikëqyrje më të thelluar, përfshirë përgjimet telefonike. Ky klasifikim ka nxitur gjithashtu debat politik dhe ligjor për mundësinë e ndalimit të partisë, një mundësi e lejuar nga kushtetuta gjermane në kushte të caktuara.
AfD është gjithashtu nën dyshime për pjesëmarrje në fushata ndikimi të Rusisë. Vitin e kaluar, një tjetër eurodeputet i saj, Petr Bystron, ishte objekt hetimi nga prokuroria e Mynihut, për dyshime se ishte paguar nga një oligark rus për të bërë deklarata pro-Kremlinit. Ai i ka mohuar akuzat.