Kos: Mali i Zi ka bërë pothuajse gjithçka që nevojitet në procesin e integrimit evropian

Kos: Mali i Zi ka bërë pothuajse gjithçka që nevojitet në procesin e integrimit evropian

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se Mali i Zi mund ta nënshkruajë marrëveshjen e anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në verën e vitit 2027, nëse vazhdon me zbatimin e reformave dhe zgjidh çështjet e hapura me Kroacinë.

Në një intervistë për Radio Malin e Zi, Kos ka theksuar se çështjet dypalëshe ndërmjet Malit të Zi dhe Kroacisë nuk janë pjesë e procesit teknik të negociatave për anëtarësim në BE, por ato duhet të zgjidhen për të siguruar mbështetjen e të gjitha 27 shteteve anëtare.

Ajo ka vlerësuar se Kroacia ka interesat e veta, por është shprehur e inkurajuar nga hapat e fundit të Podgoricës drejt zgjidhjes së çështjeve të hapura dhe vazhdimit të dialogut me Zagrebin.

“Për të vazhduar përpara në këtë proces në Bruksel, na duhet drita jeshile e të 27 shteteve anëtare. Kroacia ka interesat e veta dhe flet hapur për to. Më gëzon fakti që Mali i Zi ka ndërmarrë hapa ditët e fundit dhe se ekziston dialogu ndërmjet Kroacisë dhe Malit të Zi”, ka deklaruar Kos.

Ajo ka shtuar se Mali i Zi ka bërë pothuajse gjithçka që nevojitet në procesin e integrimit evropian, por se përparimi i mëtejshëm varet nga përmbushja e reformave dhe zgjidhja e çështjeve me vendet fqinje.

Kos vlerëson ndryshimet kushtetuese në Mal të Zi

Komisionarja evropiane ka vlerësuar edhe vendimin e Kuvendit të Malit të Zi për të miratuar propozimin për ndryshimin e Kushtetutës në pjesën që lidhet me verifikimin e integritetit të kandidatëve për anëtarë të Qeverisë.

Sipas saj, ky vendim përbën një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë të vendit në BE dhe e afron Malin e Zi me mbylljen e kapitullit 23 të negociatave, i cili lidhet me gjyqësorin dhe të drejtat themelore.

“Parlamenti i Malit të Zi e ka afruar vendin tuaj edhe një hap drejt qëllimit, që është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian. Ky është vërtet një rezultat i shkëlqyeshëm”, ka thënë Kos.

Ajo ka theksuar se parlamenti duhet të jetë vendi ku diskutohen dallimet politike dhe arrihen kompromise.

Duke komentuar mosmiratimin e shkarkimit të kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq, si dhe kritikat ndaj tij për shprehjen e ngushëllimeve familjes së të dënuarit për krime lufte Ratko Mlladiq, Kos ka thënë se vetëm Kuvendi mund të vendosë për udhëheqjen e tij.

Megjithatë, ajo ka theksuar se në Bashkimin Evropian nuk ka vend për glorifikimin e kriminelëve të luftës.

“Pajtimi dhe respekti për viktimat janë diçka që për ne në Evropë kanë shumë rëndësi”, ka deklaruar Kos, duke shtuar se liderët politikë, veçanërisht ata që mbajnë pozita të larta, kanë përgjegjësi të kontribuojnë në pajtim dhe respektimin e vlerave evropiane.

Mali i Zi, në qendër të vëmendjes së BE-së

Duke folur për samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Budvë, Kos ka vlerësuar se Mali i Zi po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e liderëve evropianë.

Sipas saj, rezultatet e arritura nga Podgorica po vlerësohen nga shtetet anëtare dhe anëtarësimi i Malit të Zi mund të shërbejë si motivim për vendet e tjera të rajonit që synojnë integrimin evropian.

“Evropa e sheh qartë se kush do të jetë anëtari ynë i ardhshëm”, ka thënë Kos, duke përmendur interesimin e liderëve evropianë për përparimin e Malit të Zi.

Ajo ka bërë të ditur se në samit do të diskutohet edhe për mënyrat se si Bashkimi Evropian mund ta ndihmojë vendin që të përfundojë negociatat dhe të bëhet anëtar me të drejta të plota.

Kos ka theksuar se zgjerimi i BE-së ka rëndësi të madhe gjeopolitike dhe se anëtarësimi i Malit të Zi do të ishte një mesazh i rëndësishëm edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Mali i Zi si anëtari i 28-të i BE-së në vitin 2028

E pyetur se sa realist është nënshkrimi i marrëveshjes së anëtarësimit deri në verën e vitit 2027, Kos është shprehur optimiste.

Ajo ka thënë se ky synim mund të realizohet nëse Mali i Zi vazhdon me ritmin aktual të reformave dhe tregon përkushtim në zgjidhjen e çështjeve të hapura me Kroacinë.

“Është realiste dhe kjo më gëzon. Për herë të parë që nga viti 2013, kur Kroacia ishte shteti i fundit që u anëtarësua në BE, ju jeni në rrugën drejt nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar ajo.

Kos ka theksuar se përmbushja e të gjitha reformave dhe respektimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore mbeten kushtet kryesore për realizimin e këtij synimi.

“Anëtari i 28-të në vitin 2028 – kjo është vizioni që ne në Bruksel e mbështesim vërtet”, ka thënë komisionarja evropiane.

Në fund të intervistës, Kos ka folur edhe për synimin e saj për t’u ngjitur në majën e Bobotov Kuk, në Malin e Zi, duke e cilësuar këtë ngjitje si simbol të rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.

Sipas saj, arritja në majë kërkon përpjekje, këmbëngulje dhe kujdes në çdo hap, njësoj si procesi i integrimit evropian.

The post Kos: Mali i Zi ka bërë pothuajse gjithçka që nevojitet në procesin e integrimit evropian appeared first on InfoShqip.com.


Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.