Presidenca: Publikimi i fotografisë me gratë e inteligjencës u bë me vlerësimin e AKI-së

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, me rastin e 8 marsit – Ditës së Gruas, në mesin e shumë institucioneve që i ka vizituar, ka qenë edhe në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Osmani me këtë rast e ka vlerësuar lart rolin e grave që punojnë brenda kësaj agjencie. Ajo pas vizitës e ka publikuar një

Presidenca: Publikimi i fotografisë me gratë e inteligjencës u bë me vlerësimin e AKI-së

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, me rastin e 8 marsit – Ditës së Gruas, në mesin e shumë institucioneve që i ka vizituar, ka qenë edhe në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Osmani me këtë rast e ka vlerësuar lart rolin e grave që punojnë brenda kësaj agjencie.

Ajo pas vizitës e ka publikuar një fotografi me punëtoret e AKI-së, për çka ka pasur edhe reagime në opinion.

Por, Presidenca sqaron se publikimi i fotografisë me gratë e inteligjencës u bë me vlerësimin e AKI-së dhe u realizua nga ky institucion.

Kështu deklaroi Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani.

“Publikimi i fotos së Presidentes me gratë e inteligjencës ka pasur për qëllim të vlerësojë punën dhe përkushtimin e tyre në shërbim të sigurisë kombëtare. Në këtë foto, identiteti i tyre nuk ekspozohet dhe nuk cenohet asnjë standard i sigurisë. Për më tepër, kjo foto është bërë dhe dërguar nga AKI-ja dhe pas vlerësimit të tyre se nuk përbën ekspozim të identitetit”, deklaroi Kupina për Klankosova.tv

Ai theksoi se praktika të tilla ka pasur edhe më herët në Kosovë dhe në shtete të tjera.

“Presidenca vazhdon të mbetet e përkushtuar ndaj ruajtjes së standardeve më të larta të konfidencialitetit dhe profesionalizmit. Është për të ardhur keq që pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në vend që të vlerësohet roli dhe kontributi i grave në një fushë sfiduese si inteligjenca, po bëhet fushatë me komente fyese dhe të padrejta ndaj tyre. Gratë që shërbejnë me përkushtim në sigurinë kombëtare meritojnë respekt dhe mbështetje, jo paragjykime”, theksoi ai.