Presidenca tërhiqet nga luksi, shpall tenderin e ri për objektin që do të ndërtohet – i heq nga plani suitën e gjumit e oborrin privat

Presidenca e Kosovës ka shpallur tender të ri për hartimin e planit të fizibilitetit për ndërtimin e objektit të ri për këtë institucion në zonën “Prishtina e re”. Vlera e parashikuar e kontratës mbetet e njëjtë, 25 mijë euro. Për dallim nga njoftimi i kaluar, ku parashihej që brenda objektit të kishte suitë gjumit për

Presidenca tërhiqet nga luksi, shpall tenderin e ri për objektin që do të ndërtohet – i heq nga plani suitën e gjumit e oborrin privat

Presidenca e Kosovës ka shpallur tender të ri për hartimin e planit të fizibilitetit për ndërtimin e objektit të ri për këtë institucion në zonën “Prishtina e re”. Vlera e parashikuar e kontratës mbetet e njëjtë, 25 mijë euro.

Për dallim nga njoftimi i kaluar, ku parashihej që brenda objektit të kishte suitë gjumit për Presidenten, dhomë private të familjes për qëndrim të përbashkët, dhoma private për ushqim, dhoma private e studimit, kopsht dhe oborri privat si dhe ndërtimi i një balloje, në njoftimin e ri janë larguar këto specifika të luksit.

Tani parashihet ndërtimi i një hapësire të punës për Presidenten, zyrë për takime zyrtare protokollare të Presidentes, zyrë për takime tête-à-tête, hapësira për ceremonial, ku përfshihen salla e pritjes dhoma e kredencialeve, salla për media dhe konferenca shtypi, hapësira të punës për stafin të Presidentes, sallë për takime pune të kabinetit, sallë për takime punë për stafin administrative, sallë për organizimin e pritjeve shtetërore, hapësire për bibliotekën presidenciale dhe hapësira për shërbime mbështetëse.

Përveç këtyre hapësirave, parashihet edhe hapësirë në ambient të jashtëm për pritje ceremoniale shtetërore dhe parakalime ushtarake me qasje për eskorta zyrtare të personaliteteve nga vendet mike, hapësirë e dedikuar për gjelbërim dhe mbjellje të drunjëve dhe qasje për hyrje-dalje dhe hapësirë parkingu për nevoja zyrtare.

“Qëllimi i këtij projekti është të analizojë aspektet teknike, ato të sigurisë, ekonomike, mjedisore dhe funksionale të realizueshmërisë së ndërtimit të objektit të Presidencës, në përputhje me nevojat institucionale, standardet moderne të ndërtimit dhe vizionin urbanistik të Prishtinës së Re”, thuhet në njoftimin për kontratë.

Afati për dorëzim të ofertave mbyllet më 2 shtator, në orën 14:00.

Pas njoftimit fillestar për kontratë, kishin shpërthyer kritika ndaj Presidentes.

Presidenca kishte dalë me një reagim ku kishte thënë se Osmani asnjëherë s’ka kërkuar ndërtim të ndonjë residence presidenciale, as me oborr privat, as me dhoma private e as ndonjë luks tjetër personal.

“Plani ideor i shpallur për ndërtimin e objektit presidencial nuk e ka marrë aprovimin e Presidentes dhe brenda suazave ligjore Presidentja do të kërkojë që ai të revidohet në mënyrë që t’i përshtatet specifikave dhe nevojave reale të Republikës së Kosovës.”, thuhej në reagim..

Aty thuhet se Presidentja nuk ka autorizuar ndërtimin e suitave apo hapësirave private, por ka kërkuar vetëm hapësira pune dhe pritjeje zyrtare, përfshirë një suitë pritjeje për mysafirët ndërkombëtarë dhe homologët që vizitojnë Kosovën — praktikë standarde në çdo presidencë në botë.

“Presidentja ka kërkuar urgjentisht të gjenden mundësitë ligjore për të ndryshuar specifikacionet aktuale, të cilat nuk paraqesin aspak idenë e saj për një objekt zyrtar presidencial (e assesi ndonjë rezidencë private). Ndërtimi i një objekti të tillë për Presidencën (e jo për Presidenten Osmani) nuk është luks, por domosdoshmëri shtetërore, për të garantuar kushte dinjitoze pune, siguri dhe përfaqësim të denjë për shtetin e Kosovës.”.

Në reagim ishte thënë se në sallat ku priten liderët botëror ndihet era e kanalizimit, për shkak se Kreu i Shtetit nuk e ka një objekt të posaçëm për realizimin e detyrave.

“Kosova është vendi i vetëm në Evropë – në mos edhe në botë – ku Kreu i Shtetit nuk ka një objekt të posaçëm për realizimin e funksionit të tij/saj zyrtar. Aktualisht, pritjet mbahen në salla të Kuvendit, ndërsa liderët e shteteve mike detyrohen të përballen me erën e kanalizimeve për shkak të kushteve të papërshtatshme në katin ku ndodhet zyra aktuale. Nuk ka as hapësirë për organizimin e pritjeve shtetërore (ato zhvillohen në hotele), as hapësira për akomodimin e mysafirëve të lartë, dhe as ambient për darka apo dreka zyrtare të nivelit të lartë, të cilat Kosova i organizon në restorante private — një praktikë krejtësisht e pazakontë për çdo shtet serioz. Është e turpshme që edhe 26 vite pas çlirimit, kjo çështje themelore nuk është zgjidhur.”, thuhet në një njoftim të Presidencës.