VLEN pretendon se në BDI ka përplasje të brendshme, Osmani: VLEN-i po maqedonizon gjithçka që duhet të jetë edhe e jona

VLEN pretendon se në BDI ka përplasje të brendshme, Osmani: VLEN-i po maqedonizon gjithçka që duhet të jetë edhe e jona

VLEN pretendon se brenda BDI-së ka përplasje mes Ali Ahmetit, Bujar Osmanit dhe Artan Grubit. Përmes një komunikate, VLEN thotë se Osmani po kërkon tërheqjen e Ahmetit për ta rikthyer BDI-në si një opozitë konkurruese, ndërsa Ahmeti, sipas VLEN-it, po përpiqet të thellojë konfliktin mes Osmanit dhe Grubit, veçanërisht përmes qëndrimit të partisë ndaj aktakuzës për “Lotarinë Shtetërore”. Sipas VLEN-it, Grubi përmes mbështetësve të tij ka nisur të dërgojë mesazhe publike, ndërsa pretendon se ai mund të ketë informacione që mund të ndikojnë në fatin e drejtuesve të BDI-së.

“Prandaj në Reçicë të Vogël nuk flenë të qetë. Disa kanë frikë nga ajo që di Artani, të tjerë nga ajo që mund të thotë, ndërsa të tretët tashmë llogarisin se kë do ta tërheqë me vete. BDI-ja prej kohësh nuk funksionon vetëm si parti politike, por si një bandë politike, interesi kryesor i së cilës janë tenderët dhe shpëtimi i lëkurës së vet. Të drejtat e shqiptarëve janë vetëm “alibi e përsosur” për këtë udhëheqje të pareformuar të BDI-së, qëllimi i vetëm i së cilës është të mbrojë pasurinë e krijuar përmes korrupsionit dhe hajdutërisë”, thonë nga VLEN.

Këtyre pretendimeve iu kundërpërgjigj nënkryetari i integristëve Bujar Osmani, duke shkruar se ajo që menjëherë i ka rënë në sy është se ky lloj komunikimi nuk ka qenë pjesë e diskursit politik mes partive shqiptare, por ka qenë karakteristikë e përplasjeve mes partive maqedonase.

“Vlen-i po maqedonizon gjithçka që duhet të jetë edhe e jona: institucionet, përfaqësimin, vendimmarrjen, hapësirën publike. tani po maqedonizon edhe diskursin politik shqiptar. Kur komunikatat ua shkruan një ish-deputet i vmro-së, i njohur për gjuhën e tij kundër shqiptarëve, rezultati është i pritshëm. Ai po e importon brenda politikës shqiptare kulturën e fyerjes, përbuzjes dhe urrejtjes që shqiptarët kishin arritur ta mbanin jashtë raporteve ndërmjet tyre”, theksoi Osmani.

Osmani përfundon duke thënë se mund të kenë dallime të thella politike, të përplasen për ide, përgjegjësi dhe rezultate, megjithatë sipas tij, dinjiteti në komunikim ka qenë një standard i vendosur mes shqiptarëve, ndërsa VLEN-i po e rrënon edhe këtë standard.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.