Problemet që përballen shkollat zvicerane

Sistemi arsimor zviceran vazhdon të renditet mbi mesataren ndërkombëtare, por të dhënat e fundit tregojnë disa sinjale shqetësuese. Rezultatet e nxënësve në lexim dhe matematikë kanë rënë, ndërsa problemet që lidhen me shkollën po shfaqen gjithnjë e më shpesh edhe në ordinancat e pediatërve.
Rezultatet e PISA 2025, të publikuara së fundmi, tregojnë se 15-vjeçarët në Zvicër vazhdojnë të performojnë mbi mesataren e vendeve të OECD-së. Megjithatë, krahasuar me vitet e mëparshme, është regjistruar një rënie e ndjeshme në lexim dhe matematikë, ndërsa rezultatet në shkencat natyrore kanë mbetur më të qëndrueshme, transmeton albinfo.ch.
Problemet e shkollës po shfaqen edhe te mjeku
Një tjetër shqetësim lidhet me mirëqenien e fëmijëve. Sipas një studimi të raportuar nga SRF, tashmë rreth një në pesë konsultime te pediatri lidhet me probleme shkollore. Fëmijët mund të paraqiten me dhimbje barku, probleme me gjumin ose vështirësi në përqendrim, ndërsa gjatë konsultimit del se shkaku lidhet me situatën në shkollë.
Presioni akademik nuk është faktori i vetëm. Të dhënat e PISA-s tregojnë edhe probleme me disiplinën në klasë: 27% e nxënësve zviceranë raportuan zhurmë dhe çrregullim në shumicën ose të gjitha orët e shkencës, ndërsa 32% thanë se bashkëmoshatarët e tyre nuk e dëgjojnë mësuesin.
Po ashtu, është evidentuar një rënie e mbështetjes së perceptuar nga familja. Në vitin 2025, 41% e nxënësve thanë se të paktën një herë në javë diskutonin me prindërit për problemet që mund të kishin në shkollë, krahasuar me 52% në vitin 2022.
Zvicra ende mbi mesataren e OECD-së
Pavarësisht këtyre problemeve, tabloja nuk është vetëm negative. Nxënësit zviceranë vazhdojnë të kenë rezultate mbi mesataren e OECD-së në matematikë, lexim dhe shkenca, ndërsa mungesa e mësuesve perceptohet si pengesë në më pak shkolla sesa mesatarja e OECD-së.
Raporti Zviceran i Arsimit 2026 gjithashtu e përshkruan sistemin në tërësi si funksional, por evidenton sfida në fusha si efektiviteti, efikasiteti dhe barazia e mundësive në arsim.
Të dhënat e fundit, megjithatë, kanë intensifikuar debatin në Zvicër se çfarë duhet ndryshuar në shkolla për të forcuar aftësitë bazë të nxënësve dhe njëkohësisht për të reduktuar presionin që ata përjetojnë.
The post Problemet që përballen shkollat zvicerane appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



