Profil/ Zëvendëson Lamallarin si ministër i Brendshëm. Nga bashkia e Beratit në Pushtetin Vendor, kush është Ervin Demo

Ervin Demo është ministri i ri i Brendshëm, pas vendimit të Kryeministrit Rama për ndryshimin në drejtimin e Ministrisë së Brendshme.
Demo zëvendëson në këtë detyrë Besfort Lamallarin, i cili do të kalojë pranë Kryeministrisë, si këshilltar i Ramës.
Demo, i lindur në Berat në vitin 1982, ka një karrierë të lidhur me administratën publike, pushtetin vendor dhe arsimin e lartë.
Prej shtatorit të vitit 2025, ai ka mbajtur postin e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor. Më herët, nga viti 2019 deri në vitin 2025, Demo ka shërbyer si kryetar i Bashkisë Berat.
Gjatë drejtimit të bashkisë, ai është angazhuar në përmirësimin e shërbimeve publike, zhvillimin dhe transformimin urban, rritjen e transparencës dhe nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje. Një tjetër fokus i punës së tij ka qenë zhvillimi i turizmit në Berat.
Ervin Demo ka një eksperiencë të gjatë edhe në fushën akademike. Në vitet 2017–2018 ka mbajtur detyrën e zëvendësministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Ndërsa nga viti 2012 deri në vitin 2016 ka qenë zëvendësrektor i Universitetit të Tiranës.
Që prej vitit 2004, Demo është pedagog me kohë të plotë në Departamentin e Menaxhimit, në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës.
Formimi i tij akademik është zhvilluar pjesërisht jashtë vendit. Ai ka kryer studimet universitare në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka përfunduar bachelorin dhe masterin. Më pas ka ndjekur studime pasdoktorale në Universitetin e Bolonjës, në Itali, me fokus te menaxhimi dhe zhvillimi akademik.
Me kalimin në krye të Ministrisë së Brendshme, Demo merr një nga postet më të rëndësishme të qeverisë, pas një eksperience disa vjeçare në pushtetin vendor dhe në administratën publike.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



