Protesta e studentëve, qeveria jep 740 milionë lekë shpërblim për policinë

Protesta e studentëve, qeveria jep 740 milionë lekë shpërblim për policinë

Vendimi vjen pas gjashtë ditësh protestash dhe përplasjesh në kryeqytet. Rama u ka shprehur mbështetjen efektivëve të Policisë së Shtetit, ndërsa qeveria miraton fondin financiar për shpërblimin e tyre.

Në kulmin e protestave që kanë përfshirë Tiranën, qeveria ka miratuar këtë të hënë një fond prej 740 milionë e 80 mijë lekësh për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Vendimi parashikon shpërblimin e 2,750 efektivëve për angazhimin e shtuar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Fondi do të përballohet nga rezerva e buxhetit të shtetit për vitin 2026.

Miratimi i vendimit vjen në një moment kur Policia e Shtetit është angazhuar në përballimin e protestave të ditëve të fundit, të shoqëruara me përplasje të dhunshme dhe dëmtime të pronës publike e private.

Gjatë një takimi të zhvilluar këtë të hënë me drejtuesit e Policisë së Shtetit, kryeministri Edi Rama shprehu mbështetjen për efektivët e angazhuar në menaxhimin e situatës, ndërsa dënoi aktet e dhunës gjatë protestave.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të përcaktojë listën e punonjësve përfitues dhe do të ndjekë procedurat për shpërndarjen e shpërblimit.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas miratimit dhe do të botohet në Fletoren Zyrtare.

The post Protesta e studentëve, qeveria jep 740 milionë lekë shpërblim për policinë appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.