Publikohet projektligji: Çfarë ndryshimesh parashihen për Specialen?

Publikohet projektligji: Çfarë ndryshimesh parashihen për Specialen?

Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është publikuar në faqen e Kuvendit të Kosovës.

Nisma, e cila tashmë është miratuar në lexim të parë, parasheh disa ndryshime thelbësore në funksionimin dhe juridiksionin e Speciales.

Ndër ndryshimet kryesore që parashihen:

Ngushtimi i juridiksionit të Speciales, duke e lidhur atë me pretendimet specifike të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011;

Ndryshimi i periudhës kohore të juridiksionit, në 1 korrik 1999 – 31 dhjetor 2000;

Kufizimi i juridiksionit territorial në veprat e pretenduara të kryera në territorin e Kosovës;

Kufizimi i dënimit maksimal me burgim në 15 vjet;

Transferimi tek institucionet e Kosovës i rasteve që, sipas juridiksionit të ri, nuk do të ishin më kompetencë e Dhomave të Specializuara;

Mundësia e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me juridiksionin;

Mundësia që të dënuarit t’i vuajnë dënimet në Kosovë;

Mundësia e faljes presidenciale për personat e dënuar me vendim të formës së prerë.

Projektligji parasheh gjithashtu rishqyrtimin e juridiksionit të rasteve pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve.

Kuvendi e miratoi projektligjin në lexim të parë me 91 vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim. LDK-ja nuk mori pjesë në votim.

Ende nuk është e qartë nëse projektligji do të kalojë në lexim të dytë gjatë ditës së sotme.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.