Punët artizanale, më të kërkuarat për të ardhura shtesë në Zvicër

Punët artizanale, më të kërkuarat për të ardhura shtesë në Zvicër

Punët praktike dhe artizanale janë ndër mundësitë më të kërkuara për punë anësore në Zvicër. Një analizë e platformës KnowS tregon se më shumë se një e katërta e porosive të publikuara gjatë vitit 2026 lidhen me ndërtimin dhe zanatet, ndërsa pagesa mesatare arrin rreth 82 franga në orë.

Sipas analizës, kategoria ndërtim dhe zejtari zë vendin e parë me rreth 27% të kërkesave. Këtu përfshihen punë si montimi dhe riparimi i mobilieve, lyerja e mureve, punimet në dysheme, montimi i ndriçimit, riparimi i dyerve dhe grilave, si dhe ndërhyrje të vogla sanitare, transmeton albinfo.ch.

Në vendin e dytë renditen shërbimet për shtëpi dhe kopsht, me 22% të kërkesave, të pasuara nga zhvendosjet dhe dërgesat me 18%. Kujdesi dhe edukimi përbëjnë 14%, ndërsa shërbimet për evente dhe gastronomi rreth 9%.

Deri në 82 franga në orë për punët artizanale

Punët artizanale dallohen jo vetëm për numrin e madh të kërkesave, por edhe për pagesën. Sipas analizës së raportuar nga 20 Minuten, mesatarja arrin rreth 82 CHF në orë.

Në disa fusha profesionale, si IT-ja, konsulenca, shërbimet juridike dhe marketingu, pagesat për orë mund të jenë edhe më të larta. Megjithatë, për këto shërbime publikohen dukshëm më pak kërkesa sesa për punët praktike.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se gati katër në pesë punë të publikuara kërkojnë praninë fizike të personit, duke konfirmuar se kërkesa mbetet e lartë për shërbime që nuk mund të kryhen nga distanca.

Ka edhe dallime rajonale. Në Bernë, për shembull, evidentohet kërkesë veçanërisht e lartë për persona që ndihmojnë gjatë zhvendosjeve, ndërsa rreth tre të katërtat e punëve të publikuara në platformë përfundojnë dhe paguhen.

Platforma KnowS thotë se ka mbi 150 mijë anëtarë në Zvicër dhe se publikohen mbi 1,000 punë të reja çdo muaj, duke u mundësuar përdoruesve të ofrojnë aftësitë e tyre për të siguruar të ardhura shtesë.

The post Punët artizanale, më të kërkuarat për të ardhura shtesë në Zvicër appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.