Pushimi mjekësor nga 7 në 5 ditë, kontrolle edhe në shtëpi – ndryshimet që paralajmëron Fondi

Pushimi mjekësor nga 7 në 5 ditë, kontrolle edhe në shtëpi – ndryshimet që paralajmëron Fondi

Fondi i Sigurimit Shëndetësor (FSHSH) do t’i propozojë Bordit Drejtues ndryshime në rregulloren për pushimet mjekësore, me qëllim forcimin e kontrolleve dhe parandalimin e keqpërdorimeve.

Një nga ndryshimet kryesore është ulja nga shtatë në pesë ditë e periudhës për të cilën mjeku amë mund të japë pushim mjekësor. Njëkohësisht, do të lehtësohet procedura për personat që për shkak të gjendjes shëndetësore nuk mund të paraqiten fizikisht.

Drejtori i FSHSH-së, Zlatko Perinski, njoftoi se kontrollet mund të kryhen edhe në shtëpinë e personit që është në pushim mjekësor. Kontrollori mund të paraqitet në mënyrë të rastësishme ose pas denoncimit nga punëdhënësi. Nëse personi nuk gjendet në shtëpi, do të duhet të japë shpjegim para komisionit mjekësor.

Sipas Perinskit, Fondi për vitin 2026 ka paraparë 6 miliardë e 454 milionë denarë për pushimet mjekësore dhe pushimin e lehonisë, ndaj, siç tha ai, është e nevojshme të forcohen mekanizmat e kontrollit.

Ndryshimet pritet të shqyrtohen nga Bordi Drejtues javën e ardhshme dhe më pas t’i dërgohen Ministrisë së Shëndetësisë për miratim.

Ndërkohë, propozohet edhe që recetat e lëshuara nga shërbimet kujdestare të kenë vlefshmëri 24 orë, në vend që të realizohen vetëm deri në mesnatën e së njëjtës ditë.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.