“Qëndrimet e tij denigruese dhe fyese ndaj Ushtrisë Çlirimtare”, reagon OVL-UÇK: Basha, njollë mbi dinjitetin e institucioneve
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ashpër pas zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë vendim si të papranueshëm dhe fyese ndaj vlerave të luftës. Në reagimin e saj, OVL-UÇK thekson se Basha njihet për “qëndrime denigruese dhe fyese ndaj UÇK-së”

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ashpër pas zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë vendim si të papranueshëm dhe fyese ndaj vlerave të luftës.
Në reagimin e saj, OVL-UÇK thekson se Basha njihet për “qëndrime denigruese dhe fyese ndaj UÇK-së”, duke e paraqitur atë si të lidhur me krimin dhe duke njollosur sakrificën e ish-luftëtarëve dhe dëshmorëve.
“Është e papranueshme dhe e pafalshme që Kuvendi i Kosovës të drejtohet nga një njeri që ka fyer dhe sulmuar UÇK-në dhe dëshmorët tanë. Ky akt është një njollë e rëndë mbi dinjitetin e Kuvendit të Kosovës dhe një goditje e drejtpërdrejtë për vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti”, thuhet në reagim.
OVL-UÇK ka kritikuar ashpër edhe deputetët që votuan në favor të Bashës, duke ngritur pyetjen se si është e mundur të mbështetet një kandidat që, sipas tyre, “ka qenë vazhdimisht kundër UÇK-së”, ndërkohë që ata përfaqësojnë popullin që është çliruar falë sakrificës së saj.
Në fund, organizata thekson se do të mbetet gjithmonë në mbrojtje të UÇK-së dhe vlerave të saj, duke mos lejuar, siç thotë, “që historia të tjetërsohet apo të përlyhet nga individë të tillë”.