Mbi 27 tonë qumësht me aflatoksinë nga Kosova asgjësohen në Maqedoni

Mbi 27 tonë qumësht me aflatoksinë nga Kosova asgjësohen në Maqedoni

Shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Maqedonisë së Veriut kanë ndaluar javën e kaluar importin nga Kosova të dy dërgesave me qumësht UHT, me peshë totale prej 27 mijë e 520 kilogramësh, për shkak të pranisë së aflatoksinës mbi kufijtë e lejuar.

Sipas Agjencisë ë Ushqimit dhe Veterinarisë së Maqedonisë së Veriut, qumështi ishte destinuar për shitje në një zinxhir marketesh në Maqedoninë e Veriut. Pas konstatimit të mospërputhjes me standardet e sigurisë ushqimore, sasia e qumështit është asgjësuar nën mbikëqyrjen e veterinerit zyrtar në deponinë “Drisla”.

Mostrat për analiza laboratorike janë marrë në kuadër të Programit të Monitorimit, përmes të cilit kontrollohen dërgesat e ushqimit me origjinë shtazore që importohen në vend.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se më 17 korrik ka vendosur masa të veçanta sigurie për importin e qumështit, produkteve të qumështit, si dhe produkteve që përmbajnë qumësht të kondensuar apo qumësht pluhur.

Me këto masa janë forcuar kontrollet zyrtare dhe analizat laboratorike, me qëllim që në tregun e Maqedonisë së Veriut të lejohen vetëm produkte të sigurta dhe cilësore.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.