Rashiq: Do të bisedoj me kolegët e mi, nëse ndez-ndez
Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq deklaroi se 95 për qind e serbëve të Kosovës nuk përfaqësohen nga Lista Serbe. Ai tha se deputetët e kësaj partie janë shumicë por që përdorin metoda e forcë brutale ndaj popullit të vet. Kështu u shpreh ai pas ndërprerjes së seancës, ku paraprakisht përmes

Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq deklaroi se 95 për qind e serbëve të Kosovës nuk përfaqësohen nga Lista Serbe. Ai tha se deputetët e kësaj partie janë shumicë por që përdorin metoda e forcë brutale ndaj popullit të vet.
Kështu u shpreh ai pas ndërprerjes së seancës, ku paraprakisht përmes votimit me short nuk arriti të marrë serish votat e mjaftueshme për zgjedhjen e nënkryetarit, raporton KosovaPress.
“Fakti është që janë shumicë, fakti është që unë jam deputet dhe fakti është se ata nuk kanë përfaqësuar komunitetin serb si duhet dhe e dini metodat që i përdorin. Dhe unë po ju garantoj që krejt këto metoda që kemi pasur, zgjedhjet e fundit dhe para saj dhe zgjedhjet që do të vijnë përdorin metoda të njëjta. E di që 95 për qind të serbëve të Kosovës nuk mendojnë sikur ata dhe nuk i përkrahin, por fakti është që kanë një forcë brutale dhe po e përdorin të paskrupullt ndaj popullit të vet dhe i kanë nëntë deputetë që po përdorin për një imponim shtesë, agresiv, destruktiv ndaj institucioneve të Kosovës”, tha ai.
Rashiq tha se edhe dje, por edhe sot ka biseduar me shumë deputetë, por që siç u shpreh ai, brengë e kanë se votimi është kundër kushtetues.
“Kam biseduar dje pasdite dhe sot në mëngjes me një numër të madh të kolegëve të mi dhe nga të gjithë kam dëgjuar që e kanë vetëm një brengë që të mos jetë ai votimi për mua në formën kundërkushtetuese. Sikur kam thënë dje dhe e kam përsëritur disa herë këtu, votimi për mua, sikurse e parasheh edhe ligji, pika 67, e percepton që një prej deputetëve mund të kandidohet pavarësisht që nuk është nga partia më e madhe me më së shumti deputetë dhe ashtu unë kam bërë. Votimi për mua nuk është kundër Kushtetutës dhe jo vetëm unë që them, por normalisht që kam pasur disa konsulta me njerëz që janë shumë më kompetentë, se unë në aspektin ligjor dhe më kanë treguar se ky veprim i tillë nuk është kundërkushtetues”, deklaroi ai.
Rashiq tha se do të vazhdojë të bisedojë me kolegë të partive të tjera, por që nuk përmendi emrat e deputetëve.
“Edhe sot kam qenë optimist dhe kur erdha mendova që kjo punë do të përfundohet por nuk patëm sukses, prandaj do të vazhdojë sikur dje sikur sot dhe nesër që ta bisedojë me kolegët e mi, që thoni ju ‘nëse ndez- ndez’….Nuk ka nevojë që ta përmendi me emra, sepse unë jam shumë gjatë jam në jetën politike, kështu që unë me shumicën e deputetëve njihem personalisht dhe kam numrat e telefonave të tyre prandaj po shkoj në formën që ata ta kuptojnë se nuk është kundër Kushtetutës, kjo është esenciale. Kur ta kuptojnë që është në harmoni me rregullat jam i sigurt që votojnë më shumë”, tha ai.
Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq nuk mori votat e mjaftueshme për tu zgjedhur nënkryetar i kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Kryeparlamentari Dimal Basha tha se diskutimet do të vazhdojnë mes grupeve parlamentare, teksa e ka ndërprerë seancën konstituive.
Në seancën e sotme janë hedhur në votim sipas shortit disa herë deputetët e Listës Serbe, por që nuk kanë marrë votat për t’u zgjedhur nënkryetar.
Të martën ka nisur procesi i hedhjes së shortit për të zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb. Votimi është ndërprerë pasi as atë ditë nuk mori votat as deputeti Nenaq Rashiq, i cili është kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.