Reagimi i Qeverisë, Supremja: Tendencioz, cënon pavarësinë e gjyqësorit
Gjykata Supreme e Kosovës shpreh keqardhje për siç e quan, reagimin tendencioz të Qeverisë në detyrë, ndaj aktgjykimit përmes të cilit shfuqizohet Udhëzimi Administrativ (MFPT) për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë. Kjo gjykatë thotë se reagimi i Qeverisë në detyrë, përbën, jo vetëm një keqinterpretim të natyrës së vendimmarrjes

Gjykata Supreme e Kosovës shpreh keqardhje për siç e quan, reagimin tendencioz të Qeverisë në detyrë, ndaj aktgjykimit përmes të cilit shfuqizohet Udhëzimi Administrativ (MFPT) për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë.
Kjo gjykatë thotë se reagimi i Qeverisë në detyrë, përbën, jo vetëm një keqinterpretim të natyrës së vendimmarrjes gjyqësore, por njëkohësisht një ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit.
”Të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë, janë të obliguara ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Vendimet e Gjykatës Supreme janë të bazuara në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe si të tilla duhet të respektohen.
Gjykata Supreme si zbatuese e ligjit, edhe në rastin konkret, ka garantuar që akti nënligjor të jetë në përputhje me normat juridike që rregullojnë mënyrën dhe kohën e miratimit të tyre. Ndaj, çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje autoritetin e Gjykatës dhe legjitimitetin e vendimeve të saj, përmes deklaratave politike, cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe dëmton besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.
Gjykata Supreme pret në rend të parë nga institucionet shtetërore të tregojnë gatishmëri për zbatimin e vendimeve gjyqësore, si kusht i funksionimit të shtetit ligjor.
Gjykata Supreme do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e saj në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, duke garantuar zbatimin e ligjit”.